LajmeRajon

Serbia rikthen shërbimin ushtarak përballë krizës në Ballkan

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka propozuar rifillimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak për një periudhë prej katër muajsh, raporton agjencia amerikane e lajmeve Associated Press. Qëllimi i kësaj nisme është të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Forcave të Armatosura Serbe, duke përsëritur dhe përmirësuar stërvitjen e forcave aktive dhe rezervë.

Propozimi i bërë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë bazohet në një analizë të thellë të situatës së sigurisë dhe sfidave që ka Republika e Serbisë si një shtet neutral ushtarakisht. Propozimi është dërguar për miratim tek presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk ka bërë të ditur moshën e rekrutëve të ardhshëm. Serbia ndaloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011 në kuadër të procesit të profesionalizimit të forcat e armatosura. Por tani vendi po mendon të rikthejë këtë shërbim, megjithë dyshimet se qeveria do të ketë mundësi të mbulojë shpenzimet e një nisme të tillë. Sipas AP, Ballkani është një rajon i tensionuar, i cili ka përjetuar luftëra të tmerrshme gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në vitet 1990.
Serbia, edhe pse zyrtarisht neutrale, ka një lidhje të fortë me Rusinë, nga e cila ka blerë shumicën e armëve të saj, duke përfshirë avionë luftarakë dhe tanke. Serbia, edhe pse kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka refuzuar të bashkohet me sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë.
Konflikti kryesor i Serbisë është me Kosovën, ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina nuk e njohin. Në muajt e fundit, Beogradi ka rritur gatishmërinë e forcave të tij në kufirin me Kosovën. Serbia ka gjithashtu një raport të ftohtë me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë stacionuar në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore intervenoi për të ndërprerë fushatën e dhunshme të Beogradit kundër separatistëve shqiptarë të Kosovës. Një tjetër pikë e nxehtë në Ballkan është Bosnja dhe Hercegovina, vëren AP, ku lideri separatist i serbëve të Bosnjës po kërcënon të shkëputë gjysmën e Bosnjës të banuar nga serbët dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje. (politiko.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button