Një ditë pas publikoi një video-incizim duke bërë homazhe tek varri i Adem Jasharit në Prekaz, politikani serb Nikola Sanduloviq, është rrahur rëndë në Serbi.
Sipas gruas së tij, Sanduloviq fillimisht është arrestuar dhe pastaj rrahur brutalisht nga BIA serbe.
Ndaj këtij veprimi të Serbisë ka reaguar deputetja britanike, Alicia Kearns. Ajo është shprehur e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e politikanit serb.
“Tepër e shqetësuar për sigurinë dhe shëndetin e Nikolla Sanduloviq pas raportimeve se ai ishte brutalizuar nga inteligjenca serbe”.
Ajo përmend parregullësitë në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi, duke thënë se kaluan “butë” nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe BE.
“Shumë parregullsi të vërejtura në zgjedhjet serbe rezultuan në vetëm shprehjet më të buta të shqetësimit kalimtar nga MB, SHBA dhe BE. Zbutja ka pasoja”, shkruan ajo në platformën “X”.
Ndërsa, sipas avokatit dhe familjarëve të politikanit, arsyeja ishte videoja e publikuar në platformën X, ku Sanduloviq shihet duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
“Këtu keni fotografi ekskluzive të Nikolës pasi doli sot nga VMA-ja dhe u kthye në shtëpi. Shkak i kidnapimit dhe përdorimit të forcës brutale nga policia sekrete serbe – BIA, në fakt ka qenë videoja e publikuar nga vendosja e luleve në memorialin e familjes së vrarë dhe masakruar Jashari në Prekaz gjatë vitit 1998, të cilën edhe ia kanë treguar gjatë rrahjes me pistoleta, grushte, shqelma e goditje me këmbë, në kokë, në ndërtesën e BIA-s”, ka thënë bashkëshortja Bojana Sanduloviq.
Sanduloviq, i cili ka qenë kandidati për kryetar të Serbisë, më herët e kishte krahasuar regjimin e Aleksandar Vuçiqit me atë të Millosheviqit.
Tutje ai e sheh si shqetësuese që gjenerata e reja në Serbi dinë shumë pak se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe për krimet që janë kryer në Kosovë.
“Gjeneratat e rejat nuk e dinë të vërtetën për krimet që kanë bërë serbët, dhe ndryshimet të cilat njëmend kanë dëshiruar t’i bënin demokratët. Ata merren me politikën, analizojnë gjërat, por janë të hutuar, të filtruar, çdo ditë me anë të medieve, dhe u mësohet të urrejnë shqiptarët, e as vetë nuk e dinë arsyen për këtë”, ka thënë ai.
Sanduloviq, thotë se presidenti aktual i Serbisë ushtron kontroll të plotë mbi shtetin, teksa e ka quajtur kriminel.