Pas zbatimit të vendimin për të lejuar targat kosovare në Serbi, e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti njoftoi se mbrëmjen e kaluar, qeveria ka marrë vendimin “që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë”.
“Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë, e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”.
Megjithatë, Kurti thekson se situata do të jetë në kontroll dhe do të veprohet nëse reciprociteti për përdorimin e targave shkelet.
“Në rast se Policia e Kosovës pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”.
Por, kryeministri i Kosovës nuk i kursen kritikat. Pranimi i targave të Kosovës nga Serbia, sipas tij, ishte manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake. Serbia pranoi përballë presionit të Perëndimit, shkruan Kurti.
“Kjo situatë e re i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar ndërmjet dy shteteve. Por ky vendim fillimisht po vjen pas përdorimit dy vjeçar të çështjes së targave si pretekst nga ana e Serbisë për të tensionuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë; dhe, tash së fundmi, si përpjekje për të ulur kritikat nga bashkësia ndërkombëtare mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e 17 dhjetorit atje (sidomos në Beograd). Çështja e targave në Kosovë në shtator të vitit 2021, përdorej për të kërcënuar Kosovën e rajonin edhe përmes aeroplanëve rusë Mig-29 të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit veçanërisht nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit 2022. Kurse në dhjetorin e vitit që porsa lamë pas 2023, ky vetëdisiplinim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik (Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluara e jodemokratike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshjes Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE-së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjësinë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023.
Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë: manovër e një pushteti jodemokratik për mbijetesë vetjake.
Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për sa i përket çështjes së targave ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit, të standardeve ligjore të Bashkimit Evropian që rregullojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të automjeteve. Do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv”.
Që nga e hëna e 1 janarit, makinat me targa RKS, Republika e Kosovës, lëvizin lirshëm në territorin e Serbisë. Lëvizja e tyre është mundësuar pas vendimit të 25 dhjetorit të vitit 2023 të qeverisë serbe.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se vendimi për lëvizjen e lirë të makinave me targa RKS nëpër Serbi “ka shmangur gracka dhe rreziqe të mëdha” për shtetin e tij. Sipas tij, nga ky vendim do të përfitojë populli serb dhe Serbia në tërësi.
Për çështjen e lëvizjes së Lirë, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2011, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
Makinat u lejuan të kalonin, ndërkaq targat mbuloheshin me letra ngjitëse. Para praktikës së letrave ngjitëse, automjetet me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro. Por, më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit, që detyroi edhe shoferët nga Serbia ta kalonin të njëjtën procedurë për të hyrë në Kosovë.
Por, kjo masë nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, të cilët bllokuan rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak.
Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e bllokut, më 30 shtator 2021, u arrit marrëveshja e përkohshme për targat. Kjo marrëveshje, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.