Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha të premten se sulmet e grupit ndaj Izraelit kanë për qëllim “të rrisin presionin ndaj qeverisë armike dhe të ndalojnë sulmin në Gaza”.
Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, pothuajse çdo ditë ka pasur përplasje mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Ky i fundit ka kryer mbi 670 sulme ndaj pozicioneve izraelite, duke synuar 48 vendndodhje dhe 17 vendbanime, tha Nasrallah.
Ai pohoi se këto operacione rezultuan në një numër të konsiderueshëm të viktimave ushtarake izraelite. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë raportuar nëntë vdekje përgjatë kufirit verior që nga 7 tetori.
“Një numër i madh ushtarësh izraelitë janë vrarë ose plagosur që nga fillimi i këtyre përleshjeve të vazhdueshme. Hezbollahu ka shkatërruar një numër të madh automjetesh dhe tankesh izraelite”, tha Nasrallah.
Kreu i Hezbollahut paralajmëroi se njerëzit në veri të Izraelit do të jenë të parët që do të mbajnë pasojat në rast të një konflikti më të gjerë.
Ndryshe, ai përsëriti se vdekja e Saleh Al-Arouri, një zyrtar i Hamasit, në Bejrut në fillim të kësaj jave “nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.