Simbolika që zgjodhën fermerët gjermanë për të shprehur pakënaqësinë e tyre me qeverinë në ditët e para të vitit të ri, ishte sa e qartë aq edhe ogurzi: në anë të rrugëve rurale në të gjithë vendin, shiheshin shenja të semaforit të varura, një referencë për ngjyrat e tri partive qeverisëse.
Ato veprime vlerësohet se janë pararojë e protestave dhe grevave të pashembullta ndërsektoriale që pritet të godasin rrugët dhe hekurudhat gjermane nga e hëna, dhe flasin për një ndryshim dramatik të humorit në një vend të vlerësuar prej kohësh për qasjen e tij në kërkim të konsensusit ndaj marrëdhënieve industriale.
Dhe me zgjedhjet kyçe që vijnë në shtetet lindore të Gjermanisë këtë vit, edhe disa fermerë kanë frikë se fryma e re revolucionare mund të shfrytëzohet drejtpërdrejt nga një e djathtë ekstreme, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, një protestë tetë-ditore mbarëkombëtare nga punëtorët e bujqësisë, që përfshin bllokadat e autostradave dhe e përshkruar nga kreu i shoqatës së fermerëve si “e tillë çfarë vendi nuk e ka përjetuar kurrë më parë”, do të vazhdojë pavarësisht nga kthesat e pjesshme të qeverisë për shkurtimet e subvencioneve për naftën dhe rreth taksave të automjeteve bujqësore – që i kishin shkaktuar ato.
Ndërkohë, në shenjë të niveleve të zemërimit që nxisin protestat, rreth 100 fermerë të enjten mbrëma bllokuan zv/kancelarin dhe ministrin e ekonomisë, Robert Habeck, të zbarkonte nga një traget në Gjermaninë veriore, duke e shtyrë atë të kthehej në ishullin ku ai kaloi pushimet e tij.
Politikani i Gjelbër thuhet se kishte ftuar disa nga protestuesit për të paraqitur shqetësimet e tyre në traget, të cilin ata e refuzuan.
“Më bën të zhytur në mendime, po, madje edhe të shqetësuar, se gjendja shpirtërore në vend po tensionohet në një masë të tillë”, citohet të ketë thënë Habeck në një deklaratë të premten.
Transportuesit e mallrave thonë se do t’i bashkohen protestave të fermerëve për të shprehur shqetësimin e tyre për një rritje të tarifave për automjetet e mallrave të rënda që hyri në fuqi në fillim të dhjetorit, duke filluar me bllokada në qendrat rajonale dhe duke kulmuar në një tubim kamionësh në kryeqytetin federal Berlin më 18 dhe 19 janar.
Veç këtyre, të marrësh trenin për t’i shpëtuar kaosit në rrugë nuk ka gjasa të jetë një opsion për udhëtarët: punëtorët hekurudhor të lidhur me GDL, sindikata gjermane e shoferëve të trenave, kanë njoftuar synimin e tyre për të rifilluar grevat mbarëkombëtare mbi pagat dhe orët e punës nga e hëna pas “një armëpushimi” gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Protestat e fermerëve të vetëpunësuar dhe transportuesit e mallrave dhe grevat në sektorin e trenave shtetërore nuk janë të koordinuara, duke u fokusuar në kërkesa të ndryshme dhe në disa raste të lidhura me mosmarrëveshjet që i paraprijnë qeverisë aktuale.
Por pajtimi i tyre i ka dhënë të djathtës ekstreme një mundësi të përsosur “për të ndezur fantazitë populliste për një grusht shteti”, vlerëson shkrimi i The Guardian, përcjell Telegrafi.
Në kanalet e saj të mediave sociale, partia e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD) ka pikturuar një pamje të njerëzve të zakonshëm që “të shtyhen drejt shkatërrimit nga një udhëheqje politike e papërgjegjshme si në mesjetë” dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen asaj që ajo e quajti një “grevë e përgjithshme”.
Madje në kanalet e mesazheve Telegram, disa protestues kanë shpërndarë foto të krijuara nga AI të një Reichstag të djegur të rrethuar me traktorë, me fjalët: “Ejani në Berlin dhe largojeni ‘semaforin’! Gjermania po bëhet blu”, një referencë për ngjyrat e AfD.
Por shoqata gjermane e fermerëve është përpjekur të distancohet nga “fantazitë e dhunshme të një grushti shteti” dhe kritikoi bllokadën e tragetit të Habeck të enjten.
“Këto protesta janë ujë për mullinjtë e AfD-së”, tha Clemens Risse, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së fermerëve të vegjël në Saksoni, shteti lindor ku partia e ekstremit të djathtë po kryeson në sondazhet përpara zgjedhjeve në shtator.
Ndryshe, sipas një shkrimi të Deutsche Welle, protestat do të zgjasin një javë, ndërsa manifestimi qendror do të mbahet me 15 janar.
Autoritetet llogarisin me pengesa të mëdha në rrugë dhe me bllokada të rrugëve e autostradave, si dhe pengesa të shumta në institucione të tjera.
Ministri i Financave dhe kreu i FDP, Christian Lindner kritikoi protestat e paralajmëruara dhe autoritetet federale i frikësohen radikalizimit dhe infiltrimit të qarqeve ekstremiste në protesta.
Në këtë drejtim, autoritetet policore në mbarë vendin presin bllokime rrugore dhe veprime të mëtejshme me traktorë dhe pajisje të tjera bujqësore.
Priten edhe bllokada “në shumicën e hyrjeve të autostradave”.
“Për të siguruar furnizime për popullatën”, autoritetet lejuan transportin e mallrave në distanca të gjata edhe të dielën, që zakonisht nuk lejohet, shkruan më te DW. Sindikata e policisë ka frikë se policia do të mbingarkohet.
“Shumë veprime jo vetëm që shkojnë shumë përtej këndvështrimit ligjor, por paraqesin edhe rrezik trafiku dhe një kërcënim për sigurinë dhe rendin publik”, shpjegoi anëtari i sindikatës së policisë Thorsten Grimm.
Këto bllokada mund të pengojnë shumë punonjës të shkojnë në vendet e punës. E në disa vende është paralajmëruar edhe mbyllja e shkollave dhe disa institucioneve të tjera. /Telegrafi/