Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
E bashkë me këtë vendim, Kosova ka fituar edhe njohjen e pasaportave nga shteti i Spanjës.
Ministria e Jashtme e Spanjës tha të hënën se qytetarët kosovarë do të hasnin në telashe ta vizitonin ligjërisht atë dhe vendet e tjera të zonës Schengen që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, sikur ato të mos pajtoheshin për ta njohur pasaportën e zakonshme kosovare.
Kështu kanë deklaruar për Telegrafin nga MPJ e Spanjës, duke shtuar se njohja e pasaportave nuk nënkupton njohjen e shtetësisë së Kosovës.
“Të gjitha shtetet e Zonës Schengen që nuk e njohin Kosovën e kanë pranuar përdorimin e pasaportave të zakonshme kosovare. Kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton, njohje të Kosovës”, tha Elena Aljarilla Cortezon, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme spanjolle.
Ajo tutje shtoi se Spanja mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë dialogun Beograd-Prishtinë si një mënyrë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe synon të minimizojë ndikimin e tij tek qytetarët.
Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.
Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë. /Telegrafi/