LajmeMaqedoni

A do të përdorë LEN-i gaz lotsjellës në Kuvend, si Vetëvendosja? Ibrahimi: Nëse shkojmë në zgjedhje me KSHZ të cunguar, do t’i bllokojmë vendvotimet

Opozita shqiptare nuk heq dorë nga kërkesa për anëtar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, përcjell TV21. Lidhja Europiane për Ndryshim tashmë ka nisur bojkotimin e punës së Kuvendit. Marrë parasysh se gëzojnë mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosej, pyetëm sekretarin e Alternativës, Zeqirija Ibrahim nëse do të përdorin metodat e LVV-së për bllokim të Kuvendit. Ibrahimi thotë se para metodave radikale, ka mjete të tjera për të shprehur pakënaqësinë.

“Nuk është e thënë që ne të kopjojmë mjetet të cilat dikush tjetër i ka përdorur dikund, nuk është që nuk ka një vendim që duhet të përdoret diçka e tillë apo të mos përdoret diçka e tillë. Unë gjykoj se pa arritur te gazi lotsjellës. ka plot mjete të tjera me të cilat ne duhet ta realizojmë të drejtën tonë ligjore për ta pasur anëtarin tonë në KSHZ”, tha Ibrahimi.

Në rast se në zgjedhjet e 8 majit shkohet pa përfaqësues të opozitës shqiptare në KSHZ, Ibrahimi thotë se do të bllokojnë vendvotimet.

“Në qoftë se ky pushtet përfundimisht vendosë të shkojë në zgjedhje me përbërje të cunguar të KSHZ-së, kjo do të na imponojë që ne të zgjedhim metoda të tilla me të cilat do të synojmë fillimisht të mbrojmë votën e elektoratit tonë, që nuk përjashtohet duke i bllokuar vendvotimet. Kjo do të jetë një njollë e zezë për demokracinë e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Ibrahimi./tv21.tv

Show More

Related Articles

Back to top button