Me siguri jo të gjithë, por nuk është as i vogël numri i atyre tregtarëve apo bizneseve që padurim presin kohën e pushimeve të mërgimtarëve dhe që nuk hezitojnë t’i rrisin çmimet e punës, mallrave dhe shërbimeve të tyre.
Është e vërtetë se, sipas disa rregullave të tregtisë, nuk ekziston gjithmonë ndonjë ndalesë për aplikimin e çmimeve të caktuara, të ulëta apo të larta. Ata mund të caktohen sipas dëshirës dhe zgjidhjes së lirë të shitësit.
Është e vërtetë se, askush nuk është i detyruar dhe askujt nuk i imponohet të blejë diçka që do t’i dukej shtrenjtë, që nuk i konvenon apo me një çmim të paarsyeshëm.
Edhe vështirësitë e shfaqura si pasojë e largimeve masive nga vendi janë të kuptueshme. Sektorë të ndryshëm të ekonomisë ballafaqohen me telashe të shumta, dhe disa biznese e kanë sot vështirë t’ia dalin që të realizojnë fitimet e shpresuara.
Disa sektorë të tregtisë (të shitjes së mallrave, etj.) janë pra të prekura për shkak mungesës së fuqisë blerëse, duke i çuar deri në një situatë të vështirë të funksionimit. Kështu që pritet një ringjallje e punës dhe e fitimit posaçërisht në kohërat e ardhjes së mërgimtarëve.
Megjithatë, këto rregullat e përmendura dhe kjo gjendje e krijuar nuk e zbusin aspak problemin tashmë aq të përfolur në mjediset tona, ku ngritja e çmimeve është bërë një traditë dhe një zakon i “vlerave” për ata disa tregtarë që padurim e presin ardhjen e “kurbetçarëve” për me realizuar leverdi sa më të larta, qoftë edhe përmes formave të pahijshme apo të pandershme.
Ajo që bie në sy dhe që vështirë përtypet posaçërisht nga mërgimtarët është dukuria e ngritjes së çmimeve brenda një periudhe të shkurtër kohore, brenda kohës së pranisë së tyre në vendlindje, duke lënë përshtypjen se synohet realizimi i të ardhurave falë një situate që iu mundëson disa tregtarëve që t’a « shfrytëzojnë rastin ».
Dëshira për me fituar kuptohet, por mënyra e zgjedhur për me arritur deri te fitimi nuk duket aspak e arsyeshme apo e kuptueshme.
Aplikimi i një korrektësie dhe një maturie të kujdesshme në tregti, shmangia e këtyre veprimeve me siguri do të shpinte në rezultate dhe në interes të gjithmbarshëm, veçanërisht në interes të gjitha bizneseve dhe ekonomisë së vendit në përgjithësi.
Nëse këto çështje do të analizoheshin në këndvështrimin afatgjatë, atëherë nuk do ishim aspak të sigurt se disa teprime në rritjen “artificiale” të çmimeve janë vërtetë frytdhënëse për disa biznese.
Vetëm kultivimi i një imazhi të keq, i një imazhi që bartë një porosi jo aq mirësie është dëmtues në vete dhe nuk paraqet një shtytje serioze për favorizimin e blerjes.
Nganjëherë thuhet jo rastësisht se disa funksionime të vendit i frenojnë edhe investimet nga diaspora. Të gjitha gjërat janë të lidhura njëra me tjetrën. Nuk është pra në pyetje vetëm politika, partitë, qeveria dhe shteti! Jemi bashkëpërgjegjës të disa proceseve që nuk funksionojnë ashtu siç do të dëshironim.
Fundja, këto mënyra të ushtrimit të tregtive më tepër e dëmtojnë biznesin e vendit në përgjithësi sesa ata mërgimtarë që i kalojnë ne vendlindje vetëm disa ditë apo javë në vit.
Shkruan: Lirim Begzati