Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në konferencë për media sot deklaroi se do të shqyrtohet mundësia e prolongimit të afatit të vlefshmërisë së dokumenteve personale. Duke u u përgjigjur në pyetje gazetareske për rrëmujat e mëdha që bëhen gjatë marrjes së dokumenteve personale, tha se janë duke shqyrtuar çdo iniciativë, dhe se për letënjoftimet do të vazhdohet afati i vlefshmërisë, por, për pasaportat për shkak se nxirren për të udhëtuar jashtë shtetit, duhet të japë mendim edhe Gjykata Kushtetuese, shkruan Portalb.mk
Në konferencën e sotme për media në promovimin e aparatit të ri për mamografi në Klinikën për sëmundje kirurgjikale të “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i cili foli për problemin me nxjerrjen e dokumenteve personale në RMV.
“Ka disa lloje të dokumenteve personale, ato që janë për përdorim të brendshëm, letërnjoftimet të cilat do të vlejnë dhe pas shkurtit, ndërsa pasaportat nuk nxirren për institucionet por nxirren që qytetarët të mund të udhëtojnë sepse me pasaportë udhëtoni jashtë vendit. Unë thash se çdo iniciativë mund të shqyrtohet, gjithsesi se Gjykata Kushtetuese do ta japë mendimin e saj për pasaportat” tha kryeministri Kovaçevski.
Ai theksoi se deri tani Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar 1 milion e 200 mijë pasaporta.
“E di se të gjithë duan të ankohen, por dua që tu falënderohem atyre punonjësve që punojnë ditë e natë si në fotografimin e qytetarëve, përgatitjen dhe dhënien e dokumenteve”, tha kryeministri Kovaçevski.
Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.
Neni 10 i Marrëveshjes së Prespës rregullon pjesën për përdorim ndërkombëtar të dokumenteve dhe për përdorim të brendshëm të tyre, por, që mund të përdoren edhe jashtë vendit siç janë: letërnjoftimi, pasaporta dhe patentë shoferi. Marrëveshja thekson dokumentet duhet të rinovohen në përputhje me emrin e ri dhe kushtet e specifikuara në nenin 1, paragrafi 3 i Marrëveshjes, jo më vonë se pesë vjet pas hyrjes në fuqi. Duke pasur parasysh se Marrëveshja ka hyrë në fuqi në shkurt 2019, dokumentet duhet të ndryshojnë në shkurt të vitit 2024.
Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.