Sektori i cili arkëton më shumë mjete financiare në nivel lokal, vitin e kaluar në Buxhetin e komunës së Gostivarit, ka sjellur të hyra të majme. Për të arkëtuar këto mjete financiare, Sektori për Urbanizëm vitin e kaluar theksin e ka vendosur te lejet për ndërtim dhe ato për legalizim. Nga të parat nga 228 aplikime, rreth 200 janë miratuar. Semir Zulbehari, drejtues i Sektorit për Urbanizëm pranë Komunë së Gostivarit, sqaron se vitin që lamë pas Gostivari është komuna e pari në Pollog, kurse e treta në nivel shteti për nga numri i lejeve të dhëna për ndërtim. Pjesa më e madhe e tyre janë për shtëpi banimi apo 90, pastaj për projekte ideore 30, infrastrukturë 22, 18 prej tyre kanë qenë për ndërtesa kolektive banesore dhe po aq për adaptim, ridedikim, rikonstruim ose ndryshim gjatë ndërtimit. Krahasuar me qytet – at, më shumë leje janë dhënë në qytet 56, kurse në fshatra vetëm 41.
Numri i lëndëve të lëshuara nga Sektori për Urbanizëm pranë Komunës së Gostivarit gjatë vitit 2023:
Leje për ndërtim (A1) – 90;
Projekte ideore – 30;
Leje për ndërtim (infrastrukturë) – 22;
Leje për ndërtim (A2) – 18;
Ndryshime gjatë ndërtimit – 9;
Ridedikim – 5;
Adaptim – 3;
Rekonstruim – 1.
“Gjatë vitit 2023 nga Sektori i Urbanizimit janë lëshuar dikundi 197 leje, prej të cilave 22 kanë qenë për projekte infrastrukturore, 18 kanë qenë për ndërtesa dhe 90 për shtëpi banimi. Ne jemi komuna me më tepër leje të dhëna vitin 2023 në nivel të rajonit të Pollogut, ndërsa vazhdojmë të jemi në top tre në nivel të vendit. Më tepër leje janë dhënë për shtëpi banimi, për ridedikim apo adaptim për kthim të sipërfaqeve banesore në afariste. Nuk ka pasur betonizim por vetëdijësim të popullatës. Popullata e dinë tash se duhet të merret leje për ndërtim apo akt-vendim nga Sektori i Urbanizimit pasi automatikisht ndërtimi pa leje paraqet vepër penale”, deklaron Semir Zulbeari, drejtues i Sektorit të Urbanizimit pranë komunës së Gostivarit.
Vitin e kaluar territori i Komunës së Gostivarit është zgjeruar me sipërfaqe për ndërtim. Megjithatë, ndërtimet nga pjesa qendrore e qytetit, kalojnë në periferi prej ku nga pesë iniciativa për plane të reja detale urbanistike, dy janë miratuar, kurse tre janë në procedurë e sipër.
“Gjatë vitit që kaloi ne si Sektor i Urbanizmit kemi përfunduar 60 procedura për plane, por unë do të veçoja dy Plane Detale Urbanistike që janë sjellë gjatë vitit që shkoi edhe atë Blloku 31 dhe Plan Detal për Bllokun 16-të. Gjithashtu jemi në fazën e përfundimit për tre Plane Detale Urbanistike, për Bllokun 15, 25 dhe 24. Karakteristikë e këtyre Palneve Detale Urbanistike që i sjellim, përfshihet pjesa periferike të qytetit, d.m.th. parashihet zgjerim i qytetit dhe nuk sillet një plan disa herë siç ka ndodhur periudhën e kaluar, por tash kemi zgjerim të qytetit dhe sillen PDU për blloqet që ose nuk kanë pasur plane ose plani i fundit që kanë pasur këto blloqe është viti 1988”, deklaron Semir Zulbeari, drejtues i Sektorit të Urbanizimit pranë komunës së Gostivarit.
Të hyrat në Komunën e Gostivarit gjatë vitit 2023 nga Sektori për Urbanizëm janë 1.2 milionë euro, prej tyre rreth një milion nga lejet dhe pjesa tjetër nga legalizimet dhe procedura të tjera që ndërlidhen me këtë sektorë.
“Prej atyre 197 lejeve, ka pasur më tepër të hyra të cilat janë diku mbi 61 milionë denarë apo një milionë euro. Nga legalizimet ka pasur më pak pasi siç dihet kanë ngelur kërkesat e fundit të legalizimit dhe atje kanë qenë të hyrat diku rreth 100 mijë euro. Nëse i marrim të gjitha të hyrat nga Sektori i Urbanizmit janë diku rreth 1.2 milionë euro”, deklaron Semir Zulbeari, drejtues i Sektorit të Urbanizimit pranë komunës së Gostivarit.
Vitin e kaluar nurmi i çertifikatave nga planet që janë dhënë në mënyrë elektronike në Komunën e Gostivarit shënon rekord krahasuar me komunat tjera. Nga 1206 çertifikata të tilla, 184 kanë qenë elektornike. Ndryshe, këtë vit pritet të jepet leje edhe për ndërtimin e garazhit të dytë në kate i cili pritet të ndërtohet në afërsi të Spitalit të qytetit.