LajmeMaqedoni

Do të ketë dy kandidatë shqiptarë për president? Shumë oferta dhe shumë emra në lojë, i gjithë fokusi te ASH-ja

Ndonëse më shumë të përqendruar në koalicionet për zgjedhjet parlamentare, partitë nuk i kanë harruar as kandidatët për president. Lidhja Europiane për Ndryshim ka filluar bisedimet me kandidatët potencial, e njëri prej tyre është edhe Rufi Osmani.

“Pak është herët por mendoj që do jetë kandidat gjithëpërfshirës, inkluziv që në mënyrë dinjitoze, që do i përfaqëson si kandidat për president shqiptarët në Maqedoni.
-Është Rufi Osmani si një prej kandidatëve potencial?
Nuk e përjashtoj, ka pasur bisedime”, tha Izet Mexhiti nga LEN.

E derisa jemi te opozita shqiptare, sipas informacioneve të Televizionit 21, Lidhja Europiane për Ndryshim fillimisht i kanë ofruar kreut të ASH-së, Arben Taravari, të kandidojë për president të shtetit, por këtë e ka kundërshtuar kreu i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela, pas një takimi me kreun e Vetvendosjes, Albin Kurti.

As Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka një vendim konkret se me kë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale, sepse janë në pritje të Aleancës për t’iu bashkangjitur fillimisht “frontit europian”. Nëse ASH i bashkangjitet BDI-së, kandidati për president mund të vijë edhe nga radhët e ASH-së. Fillimisht BDI donte të del me kandidat konsensual me LSDM-në, mirëpo sipas informacioneve të TV21, ndryshuan mendje pasi u kuptua që opozita do të ketë kandidatin e saj për President.

E sa i përket blokut maqedonas, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, dje hapi procedurën për kandidatin për president duke u bërë thirrje degave komunale të partisë për të nominuar kandidatin e preferuar. Në LSDM mund të konkurohet edhe individualisht.

“LSDM e zgjedhë kandidatin fitues i cili do të jetë presidenti i ardhshëm i Republikës. Vijon nominimi i kandidatëve të mundshëm për president të shtetit në korniza të bordeve lokale nëpër organizatat komunale të LSDM-së. Më tej, është hapur edhe thirrje publike për vetkandidim, përmes shpalljes në gazetat ditore në gjuhën maqedonase dhe shqipe”, theksoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse LSDM.

Nga VMRO-DPMNE mbrëmë njoftuan se kanë zgjedhur delegatët të cilët do të përzgjedhin kandidatët për president. Ndonëse nuk ka ende asgjë konkrete dhe zyrtare, sipas anketave të brendshme favoritët janë Aleksandar Spasenovski dhe Gordana Siljanovska-Davkova.

Si kandidat zyrtar deri tani është vetëm mjeku Velo Markovski i cili do të kandidojë si i pavarur ndërsa këtë vendim e pati marrë që tetor të vitit të kaluar.

Show More

Related Articles

Back to top button