Për mbi gjysëm shekulli objektet më të rëndësishme ku funksionon administrata e pushtetit lokal në Gostivar dhe nga ku qytetarët marrin shërbimet e tyre, kanë qenë ilegale. Të ndërtuara që nga viti 1960, objekti i komunës së Gostivarit, ai i N.P “Komunalec”, N.P “Rinia” dhe konvikti i nxënësve janë regjistruar në Kadastër vetëm vitin e kaluar. Drejtuesit të Sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Gostivarit, Semir Zulbeari i duket absurde pse askush në të kaluarën nuk i ka legalizuar objektet e këtyre institucioneve. Brenda një viti, aq sa ai udhëheq me urbanizmin, vlerëson se nxjerra e fletë – pronësisë për këta katër institucione, ka qenë një nga punët më të mëdha që kanë bërë së bashku me kolegët e tij.
“Gjatë vitit 2023 si punë mjaftë të rëndësishme të cilat i kemi bërë është edhe regjistrimi i objektit të Komunës së Gostivarit, d.m.th. objekti i Komunës së Gostivarit deri në vitin 2023 ka qenë pa fletë-pronësi. Punë tjetër e rëndësishme është legalizimi i objektit të ndërmarrjes publike ‘Komunalec’. Edhe objekti i komunës edhe i ndërmarrjes kanë qenë pa fletë-pronësi. Mua më duket absurde, por ky ka qenë një realitet. Gjithashtu, pos këtyre dy objekteve mjaftë me rëndësi për qytetin, kemi bërë legalizimin edhe të objektit të ndërmarrjes publike ‘Rinia’ apo të sallës së sportit dhe konviktin e nxënëse. Edhe këta dy objekte kanë qenë pa fletë-pronësi, ndërsa ne gjatë vitit që shkoi kemi bërë regjistrimin dhe legalizimin e këtyre dy objekteve”, deklaron Semir Zulbeari, drejtues i Sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Gostivarit.
Edhe shkollat fillore dhe të mesme publike në Gostivar kanë qenë pa legalizim. Zulbeari thotë se mbi 90 për qind e tyre janë legalizuar periudhën e fundit. Pret që pjesa e mbetur e objekteve, të legalizohen gjatë këtij viti.