LajmeMaqedoni

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut ankohen për mospërfshirje në politikë

Interesat e të rinjve mbeten kryefjalë e partive politike, qofshin ato në pushtet apo opozitë, veçanërisht para zgjedhjeve akoma pa filluar fushata zyrtare, duke premtuar përfshirjen e të rinjve në politikëbërje, hartimin e politikave në interes të të rinjve, si dhe uljen e papunësisë në mesin e të rinjve.

Hulumtimi që ka realizuar Forumi për ndryshime në arsim, me të rinjtë e moshës 17 deri 24 vjeç tregon se të rinjtë ndihen të shpërfillur nga institucionet për sa i përket zhvillimit të politikave në arsim. Të rinjtë, gjithashtu, kanë theksuar se “nuk ndihen të rëndësishëm për institucionet dhe politikanët”

Blendi Hodai, student i Shkencave Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se partitë politike u lënë shumë pak hapësirë të rinjve, megjithëse në letër mundësitë janë të pafundme.

“Aktualisht, ata që janë në udhëheqje të partive politike, ndihen të rrezikuar kur përfshihen të rinjtë në strukturat e partisë, përkatësisht pozitat vendimmarrëse të strukturave partiake. Kjo pasi mendojnë se do t’i humbasin pozitat që kanë pasi të rinjtë sot janë shumë më të përgatitur për sa u përket njohurive globale”, thotë Hodai, drejtor i organizatës joqeveritare për të rinjtë, Forumi për ndryshime në Arsim.

Shkalla e lartë e papunësisë si çështje problematike është apostrofuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023. Ndonëse papunësia në Maqedoninë e Veriut është ulur nën 15 për qind, problem mbetet se gjysma e të papunëve janë të rinj të moshës nën 29 vjeç.

Mospërfshirja e të rinjve në tregun e punës bën që ata për një kohë të gjatë, madje edhe pas moshës 30-vjeçare të mos jenë në gjendje të krijojnë një jetë të pavarur nga prindërit.

Në Raportin e Progresit të KE-së, theksohet si me rëndësi gjetja e mekanizmave për zbatimin e përpiktë të “Garancive për të rinjtë”, që parashihen në dispozitat ligjore.

“Nëse analizohet aspekti ligjor që definon pozitën vendimmarrëse të të rinjve, veçanërisht me Ligjin për pjesëmarrje dhe politika rinore, katër vjet pas miratimit (më 2020), problemi paraqitet me zbatimin e ligjit në fjalë. Që do të thotë se kemi ligje të mira që rregullojnë përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje, si në institucionet e pushtetit lokal, ashtu dhe në atë qendror, por problemi paraqitet në zbatimin tyre”, shprehet Hodai.

Të rinjtë theksojnë se pasja e njerëzve të njohur në politikë, mundësojnë një vend pune në institucionet e shtetit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të flitet për merita e cilësi, andaj të ardhmen e tyre e shohin jashtë vendit.

“Nuk e shoh të ardhmen time këtu, me gjasë do të dal së shpejti jashtë shtetit, pasi krahas kushteve, standardit jetësor në vendet e Bashkimit Evropian, mendoj se këtu bëhet e papërballueshme, mosfunksionimi i ligjeve dhe meritokracisë, si dhe faktit që politika dikton se kush ku do të jetë në pozitë në institucione dhe jo meritat”, thotë Ivana Nedellkovska, studente e Arkitekturës.

Sfidë për drejtuesit e shtetit në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht se kush do të dalë fitues në zgjedhjet e pranverës, mbetet hartimi i politikave të qëndrueshme për të rinjtë për të ndalur hovin e migrimit.

Pasi të gjitha anketat që kanë realizuar organizatat që në fokus kanë të drejtat e të rinjve, gjysma e të rinjve nën moshën 29 vjeç të ardhmen e shohin jashtë vendit./REL

Show More

Related Articles

Back to top button