Ushtria amerikane ndërmorri një valë të re goditjesh kundër objektivave të kontrolluara nga organizata terroriste Houthi në Jemen.
Zyrtarët amerikanë thanë se sulmet e së mërkurës, nga anijet dhe nëndetëset amerikane, vala e katërt e sulmeve brenda pak ditësh, vunë në shënjestër të drejtpërdrejt grupin me bazë në Jemen që mbështetet nga Irani, ndërsa konflikti mes Izraelit dhe Hamasit rrezikon të përhapet në Lindjen e Mesme.
Sulmet e ndërmarra nga Deti i Kuq goditën më shumë se një duzinë objektivash, thanë zyrtarët amerikanë. Sulmet ndodhin pasi Shtetet e Bashkuara e rikthyen lëvizjen Houthi në listën e organizatave terroriste. Sanksionet kundër organizatave terroriste synojnë t’i shkëputin ato nga burimet financiare.
Pavarësisht sanksioneve dhe sulmeve ushtarake, përfshirë një operacion në shkallë të gjerë të premten nga luftanijet dhe avionët amerikanë dhe britanikë që goditën më shumë se 60 objektiva në të gjithë Jemenin, organizata terroriste Houthi vazhdon fushatën e sulmeve kundër anijeve tregtare dhe ushtarake.
Incidenti i fundit ndodhi të mërkurën kur një dron kamikaz i lëshuar nga një zonë e kontrolluar nga lëvizja Houthi në Jemen goditi në Gjirin e Adenit anijen e transportit “M/V Genco Picardy” që lundronte nën flamurin e Ishujve Marshall dhe është nën pronësi amerikane.
Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar paralajmërime të fuqishme ndaj Iranit që ta ndalojë armatosjen e lëvizjes Houthi.
Bastisja e një anije me vela nga forcat amerikane të enjten ndërpreu furnizimin nga Irani të lëvizjes Houthi me pjesë raketash balistike, thanë Shtetet e Bashkuara.
Dy pjesëtarë të marinës amerikane ende figurojnë të zhdukur pasi njëri prej tyre u rrëzua nga anija nga një valë e madhe gjatë konfiskimit dhe tjetri u hodh për ta shpëtuar kolegun e tij.
Zëdhënësi i Pentagonit, Gjenerali Pat Ryder tha të mërkurën se SHBA-të do të vazhdojnë veprimet ushtarake për të parandaluar sulme të mëtejshme nga lëvizja Houthi.
“Ata po e shfrytëzojnë këtë situatë për të kryer sulme kundër anijeve nga më shumë se 50 vende të botës. Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë në rajon për t’i parandaluar sulmet ose për t’i penguar ato në të ardhmen”, tha zëdhënësi i Pentagonit.
Që nga operacionet amerikane dhe britanike të së premtes, në rajon kanë ndodhur disa incidente. Gjatë fundjavës, lëvizja Houthi qëlloi me raketë në drejtim të një destrojeri amerikan, i cili e eliminoi kërcënimin. Të hënën, grupi terrorist goditi një anije tregtare amerikane në Gjirin e Adenit dhe të martën qëlloi një anije që lundronte në Detin e Kuq nën flamurin e Maltës.
Shtetet e Bashkuara reaguan të martën duke goditur katër raketa balistike që po përgatiteshin për t’u lëshuar dhe përbënin kërcënim për anijet tregtare dhe të marinës amerikane në rajon.
Disa orë më vonë, lëvizja Houthi mori përgjegjësinë për sulmin kundër anijes së transportit Zografia që lundronte nën flamurin e Maltës. Anija vazhdoi lundrim dhe njoftoi se nuk kishte të lënduar. /VOA