LajmeRajon

Kathimerini zbulon prapaskenat, Italia dhe Greqia përplasen në Bruksel për marrëveshjet me Shqipërinë

Me titull një “Jo” greke për Shqipërinë, gazeta Kathimerini i referohet një takimi në nivel teknik në Bruksel, për një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Evropës, ku pala greke ka shprehur kundërshtime për Shqipërinë, si një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, por me kusht që të zbatojë të drejtën Evropiane që përfshin si element kryesor respektimin e shtetit të së drejtës.

Ky komplikim në politikën e mbrojtjes të hartuar nga BE thekson Kathimerini vjen si rrjedhojë e qëndrimit të Shqipërisë për rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri .

Në këtë kontekst, Athina ka bërër një kundërpropozim duke cilësuar si shtetin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, Maqedoninë e Veriut, e cila , sipas saj, ka treguar performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa edhe standardizimi i forcave të armatosura sipas niveleve perëndimore (përmes anëtarësimit të saj në NATO) ka përparuar me një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë.

Ndërkohë propozimi grek nuk u pranua, ndërsa nuk u shqyrtua as çështja e Shqipërisë, pavarësisht mbështetjes shumë të fortë nga Italia, e cila është edhe partnerja më e ngushtë e Tiranës në BE, gjë që sipas gazetës greke, e sjell Romën në fërkime me Athinën, veçanërisht për shkak të ngërçit të krijuar nga këmbëngulja e qeverisë Rama në çështjen Beleri.

Vlen të theksohet se marrëveshjet e partneritetit të BE-së me vendet e treta nuk janë një zhvillim i ri, por janë pjesë e kuadrit më të gjerë të Busullës Strategjike për vitin 2030, i cili është edhe një horizont kohor që do të gjykojë aftësinë e Evropës për të luajtur apo jo një rol në zhvillimet gjeopolitike.

Niveli i tretë i këtij programi i cili përfshin edhe Ballkanin Perëndimor (së bashku me Afrikën dhe Amerikën Latine), ka kryesisht bashkëpunim në misionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes por edhe zhvillimin e aftësive të përbashkëta. Është, me pak fjalë, një përpjekje e BE-së për të fituar një partneritet mbrojtës me vendet e Ballkanit Perëndimor, derisa (dhe nëse) të arrijnë të integrohen plotësisht në strukturat e tij.

Këto diskutime janë në një fazë fillestare dhe – për shkak të bashkëpunimit ekzistues të mbrojtjes të shumicës së vendeve të BE-së me shtete si Shqipëria nëpërmjet NATO-s – nuk krijojnë asnjë problem praktik, të paktën në këtë fazë. Megjithatë, ky zhvillim është një tregues i qëndrimit parimor që Greqia dëshiron të mbajë në lidhje me vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në BE- nënvizon Kathimerini.

Sipas gazetës në 25 janar, pritet të rifillojë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, ndërsa në prapaskenë, vazhdojnë ende kontaktet, gjithmonë me kushtin e nevojshëm që zoti Beleris të betohet në detyrën e kryebashkiakut. /Telegrafi/

Show More

Related Articles

Back to top button