Thaçi për “Euronews Albania” theksoi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të bënte shumë gabim nëse do të ndërhynte tek zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut në mundësi për përmirësim apo deformim të rezultatit zgjedhor.
Mes tjerash ai tregoi se sondazhet që janë realizuar së fundmi në Maqedoninë e Veriut, tregojnë se do të fitojë e djathta.
“Vetëvendosja e cila drejtohet nga Kurti, do të bënte shumë gabim nëse ndërhynte në emër të qeverisë së Kosovës, në mundësinë e përmirësimit apo deformimit të rezultatit zgjedhor në Maqedoni. Kjo do të ishte e gabuar për shkak se vlerësoj se ata janë pak të informuar për tendencën e fundit politike në Maqedoni, ku sondazhet tregojnë se zgjedhjet do i fitojë e djathta maqedonase, e cila është hapur kundër procesit integrues apo kundër kërkesës së BE për ndryshimet kushtetuese.
Mendoj se Kurti më shumë e ka këtë ndërhyrje për një rritje të influencës së vet politike brenda Kosovës sesa jashtë. Nuk do isha pajtuar që një qeveri të qoftë e Kosovës apo e Shqipërisë, të shfaqet hapur apo drejtpërdrejt në mbështetje të një formacioni politik. Nuk them se janë të painformuar, për shkak se partitë e reja që e quajnë veten shqiptare do të garojnë në zgjedhjet e fundit, nuk janë parti të tëra por janë grimca të partive të ndryshme. Drejtuesi i këtij koalicioni është një funksionar që në zgjedhjet e fundit nuk arriti të fitojë mandat”, shtoi Thaçi.