Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do të shënojnë rezultat më të lart sesa në zgjedhjet e vitit 2021. Në partinë në pushtet, thonë se janë të gatshëm për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme gjatë këtij viti, apo të rregullta në fillim të vitit 2025. Sipas tyre, mandati i dytë i qeverisë Kurti, do të jetë i përmbylljes së shumë reformave dhe proceseve të nisura në mandatin e parë.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se bazuar në punën e bërë gjatë këtyre tri viteve, vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve dhe lehtësirave për votimin e mërgatës në ambasada, do të tejkalojnë 50 për qind në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, partitë opozitare po bëjnë garë mes veti për vendin e dytë dhe për të tejkaluar sfidën e pragut elektoral.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa nënshkrim të marrëveshjes të Brukselit dhe Ohrit, s’mund të ketë zbatim.
Krahas kësaj, deputeti i partisë në pushtet e sheh si inkurajuese nisjen e mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore.
Ndërkaq, Rrustemi, deklaron se pranimi i targave RKS nga Serbia, si dhe zbatimi i marrëveshjes për energji, nuk është qasje konstruktive nga Serbia, por pranim i realitetit në teren pas insistimit të Qeverisë së Kosovës.