Qeveria në mbledhjen e djeshme të 222-të vendosi që deri më 29 shkurt ta vazhdojë kufizimin e çmimit të orizit, miellit, bukës dhe produkteve të tjera të bukës, biskotave, brumërave, mishit dhe prodhimeve të mishit, qumështit, vezëve, djathit, kaçkavallit dhe prodhimeve të tjera të qumështit, si dhe të ujit mineral të pagazuar dhe të gazuar dhe pijeve të pagazuara dhe të gazuara dhe birrës së lehtë.
Siç informuan nga shërbimi qeveritar për shtyp, Qeveria dje solli Vendim për ndryshim të Vendimit për kushte të posaçme për tregti të mallrave të veçanta, caktim të çmimeve më të larta për prodhime të veçanta në tregtinë me pakicë, si dhe obligimin e tregtarëve të sigurojnë dhe shesin lloje dhe sasi të caktuara të mallrave të veçanta të konsumatorëve, sipas orarit të caktuar.
“Me ndryshimet e miratuara të Vendimit ekzistues, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, vazhdohet kufizimi i çmimeve deri më 29 shkurt 2024, më vend se deri më 31 janar 2024, për disa lloje të caktuara të produkteve ushqimore dhe atë: orizi, mielli, buka dhe produkte të tjera të bukës, biskotat, brumërat, mishi dhe prodhimet e mishit, qumështi, vezët, djathi, kaçkavali dhe prodhime të tjera të qumështit”, thonë nga Qeveria.
Qeveria, shtojnë, solli edhe Vendim për ndryshim të Vendimit për caktim të çmimeve më të larta të prodhimeve të caktuara në tregtinë me shumicë dhe tregtinë me pakicë.