Ka filluar me punë objekti i ri ku do të akomodohen edhe 100 fëmijë të Gostivarit në kuadër të çerdhes “Lulishtja”. Përurimi i objektit të ri është bërë nga kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska me bashkëpunëtorët e tyre. Gjatë vizitës, ata panë nga afër edhe hapësirat e kësaj çerdhe e cila është shtesë e objektit ekzistues te “Lulishtja” ku janë shtuar pesë klasa për qendrimin e fëmijëve dhe një hapësirë e veçantë për fëmijët më të vegjël. Me këtë rast Taravari tha se kjo është çerdhja e 6 që po hapim prej se jemi në krye të komunës së Gostivarit, ndërsa numri i fëmijëve të akomoduar është rritur nga 400 në mbi 800.
Hapësira e re, sipas ministres Trençevska ka kushtuar 34 milionë denarë, para të siguruara nga Banka Botërore, ndërsa e njejta ka hapësira mësimore kohezive dhe gjithpërfshirëse.
“Ndërtimi i shtesës është projektuar për 100 fëmijë. Ky zgjerim jo vetëm që pasqyron angazhimin tonë për të ofruar standardet më të larta të arsimit, por gjithashtu përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi të këndshëm për rritjen dhe zhvillimin e të vegjëlve tanë. Një nga veçoritë kryesore të kësaj zgjidhjeje arkitekturore është integrimi i pandërprerë i saj me kopshtin ekzistues, duke ofruar një hapësirë mësimore kohezive dhe gjithëpërfshirëse për fëmijët tanë. Përveç kësaj, në kërkimin tonë për qëndrueshmëri mjedisore, ne kemi adoptuar një mënyrë të re, miqësore me mjedisin për ngrohjen e çerdhes me pelet, që jo vetëm përputhet me standardet më të larta, por gjithashtu thekson përgjegjësinë tonë për të ruajtur natyrën. Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e paçmuar të Bankës Botërore, mbështetja financiare e së cilës prej mbi 34 milionë denarë luajti rol kyç në realizimin e këtij projekt”, deklaroi Jovana Treçevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Ministrja Trençevska tha se që nga viti 2017, Qeveria ka investuar në 81 kopshte, 16 prej të cilave janë realizuar përmes Projektit për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale. Vetëm në vitin 2023, ka pasur tre çerdhe, ndërsa periudhë në vijim pritet të lëshohen në përdorim edhe dy tjera. Ndryshe, në nivel vendi në dy vitet e fundit në kopshte janë punësuar rreth 900 persona dhe janë avancuar 175 persona.