Dimitar Kovaçevski personalisht erdhi në Kuvend dhe në arkiv e deponoi dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Me këtë edhe e gjithë Qeveria është në dorëheqje. Kovaçevski para se të vijë në Parlament, pati takim të shkurtër me ministrat të cilët i falënderoi për punën e deritanishme të përbashkët. Në Kuvend shkurt u takua edhe me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi i cili gjithashtu dorëzoi dorëheqjen e tij. Në një deklaratë para Kuvendit, Kovaçevski tha se pret që Xhaferi të vazhdojë me kursin strategjik të Qeverisë.
“Talat Xhaferi është një politikan me përvojë që ka shumë eksperiencë në drejtimin e Parlamentit. Unë kam ardhur me një përvojë tjetër në drejtimin e korporatave, kështu që ndoshta stili do të dallojë, por vendi sigurisht se do ta mbajë drejtimin e tij strategjik, gjegjësisht orientimin perëndimor, partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sigurisht se edhe Qeveria teknike do të kujdeset për qytetarët, sepse ende jemi në krizë, ashtu siç e kemi bërë ne në dy vitet e fundit”, është shprehur Kovaçevski.
Dorëheqja e Kovaçevski është hapi i parë drejt zgjedhjes së Qeverisë teknike e cila duhet t’i organizojë zgjedhjet. Kovaçevski shprehet i bindur se pas zgjedhjeve sërish do ta ushtrojë detyrën e kryeministrit.
“Kjo është diçka që është e paraparë me ligj. Më 9 maj Qeverinë sërish do ta udhëheqë unë dhe kjo shumicë parlamentare e cila do ta sigurojë anëtarësimin e plotfuqishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030”, tha Kovaçevski.
Sot pasdite pritet të japë dorëheqje edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi. (dorëheqjen e tij e deponoi edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi), Dorëheqja e tij dhe ajo e Kovaçevskit duhet të konstatohen në seancën e nesërme kuvendore e cila është caktuar për në orën 11. Xhaferi nga e hëna e merr rolin e kryeministrit teknik 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Opozitarja VMRO-DPMNE mbrëmë vonë konfirmoi kandidatët për ministra dhe zëvendësministra shtesë në Qeverinë teknike. Edhe pse pritej të ketë figura tashmë të njohura, megjithatë partia doli me emra të rinj, përveç zëvendësit shtesë të Bujqësisë, Tripunovski i cili ishte edhe në Qeverinë e kaluar teknike.
“Në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme është propozuar Pançe Toshkovski, kryetar aktual i Komisionit Juridik të VMRO-DPMNE-së dhe avokat shumëvjeçar. Për zëvendësministrin e ri shtesë të Financave, është propozuar Elena Petrova, një profesioniste në fushën e financave. Gjoko Velkovski është propozim i ri për kandidat për ministër të Punës dhe Politikës Sociale. Për zëvendësministër të ri shtesë për Shoqëri Informatike dhe Administratë është propozuar Stefan Andonovski, sekretar i deritanishëm ndërkombëtar i partisë dhe këshilltar në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Cvetan Tripunovski është propozuar për zëvendësministër shtesë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Me profesion është inxhinier i diplomuar bujqësor”, njoftoi Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndryshe, kryeministri Kovaçevski bashkë me ministrat do t’i kryejnë detyrat e tyre deri në zgjedhjen e Qeverisë teknike më 28 janar. Ndryshim ka edhe në Kabinetin e kryeministrit. Në vendin e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, tash do të vijë zëvendëskryeministri për Çështje Europiane, Bojan Mariçiq. E në seancën e nesërme kuvendore, pasi të konstatohen dorëheqjet e Kovaçevskit dhe Xhaferit, do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit, e ai siç dihet do të jetë koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski.