LajmeMaqedoni

Përveç arsyeve për largimet nga vendi i origjinës, u shtuan edhe arsyet që pengojnë kthimin aty!

Vallë, sa janë të vlefshme sot thëniet «…ju jeni me punë të përkohshme atje, në Zvicër, në Gjermani…!». Thëniet e tilla duket se e kanë humbur gati plotësisht kuptimin e tyre të vërtetë, pasi që realiteti praktik tregon pavlefshmërinë e tyre për një pjesë dërmuese të popullatës sonë që jeton jashtë, në përjashtim të atyre që e kanë akoma vështirë t’i largohen një ëndrre, shpeshherë të parealizueshme!

Krahas arsyeve të largimeve nga vendi që duken shpesh të qarta, edhe arsyet që e pengojnë kthimin në vend janë bërë gradualisht, tepër e më tepër, të qarta dhe të kuptueshme. Një konfiguracion fatkeqësisht konformë aktualiteteve dhe realiteteve tona!

Nëse synohet që kjo çështje të përmblidhet përmes disa pikave të shkurtëra, atëherë do të mund vetëm të potencoheshin disa nga to, që paraqesin vetëm një faqe të medaljes, ku kuptohet se i hasim edhe shumë të tjera që i takojnë një regjistri jashtëzakonisht të gjerë.

Dihet së pari se perspektivat për punë apo për sigurimin e një standardi jetësor adekuat në vendin e origjinës përjetojnë ende një dinamikë të zbehur. Është kuptuar që kahmoti se arsyet ekonomike janë ato të cilat paraqesin një nxitës kryesor të largimeve nga vendi. Arsye këto që i çojnë njerëzit për me kërkuar një jetë më të mirë diku jashtë vendit. Edhe fakti se shumë sektorë të ekonomisë e kanë sot vështirë të gjejnë punëtorë, nuk mjafton për të bindur apo gënjyer dikë se vendin e presin perspektiva të mira ekonomike, ngaqë disa vende të lira të punës u krijuan “falë” largimeve masive nga vendi. Kjo nënkupton pra edhe atë se nuk u krijua gati se asnjëherë një klimë ekonomike e përshtatshme për favorizimin e kthimit në vend të atyre personave që jetojnë jashtë dhe që e patën ëndërr kthimin në vendin e tyre të origjinës.

Metodat e disa politikave të ushtruara në vendet tona duket se e kanë lodhur një pjesë të madhe të popullatës që jeton në vend, duke u reflektuar kjo edhe tek shumë bashkatdhetar që jetojnë jashtë vendit, e sidomos tek ata persona që kanë pritur disa dekada nga premtimet e shumta dhe të njëpasnjëshme, shpeshherë të parealizueshme! Ky dëshpërim është akoma më i shfaqur sidomos tek ata mërgimtarë që e kanë përkrahur kultivimin e një politike, që do t’i shkonte përshtati jo vetëm popullatës së vendit, por edhe asaj që jeton në diasporë. Ndodhi pra fatkeqësisht e kundërta. Edhe për këto arsye, do të ishte vështirë sot me shpresuar për me gjetur ndonjë numër të madh të personave nga diaspora që do të ishin të gatshëm për me e shprehur motivimin për me u kthyer në vendin e politikave të dështuara apo në vendin e premtimeve që nuk u mbajtën!

Vonesa dhe të çaluarit në rrugën e ndërtimit të një shteti të së drejtës, rrënjosja e mëtutjeshme e korrupsionit, e nepotizmit në kuadër të punësimeve, luftimi jo efikas i kriminalitetit, kanë si pasojë thellimin e bindjeve se vendi nuk e ka ndërmend të dalë nga kriza. Janë të shumtë ata mërgimtarë që jetojnë në vendin e huaj – që veprojnë sidomos në ato vende të mirëfillta demokratike dhe që kultivojnë shtetin e së drejtës – dhe që nuk janë të interesuar t’a vërejnë perspektivën në vendin ku shumë vështirë promovohen vlerat, e shumë lehtë antivlerat!

Marrë parasysh situatën e përgjithshme në trojet tona, shumë familje mendojnë tepër e më tepër për sigurimin e një ardhmërie më të mirë për fëmijët e tyre, për brezat e rinjë. Kështu që krizat e pareshtura në vendin e origjinës shkaktojnë dëshpërime dhe ndjenjë pasigurie jo vetëm tek të rinjtë, por edhe tek prindërit e tyre. Kjo i shtynë disa prindër që t’a shikojnë ardhmërinë e fëmijëve të tyre jashtë vendit. Duhet pranuar se ky argument është i frikshëm në këndvështrimin e perspektivës së vendeve tona, kurse ndërkohë paraqet një sinjal frikësues edhe për ata disa prindër që jetojnë jashtë vendit dhe që do të ishin eventualisht të interesuar apo të imagjinonin që fëmijët e tyre të kthehen në vendin e origjinës.

Janë pra këto disa nga faktorët sqaruese, pa mos pretenduar në prezantimin e një liste gjithëpërfshirëse, të cilës do të mund t’i shtoheshin edhe shumë të tjera, varësisht nga situatat e paraqitura, vlerësimet dhe mendimet e secilit nga ne mbi këto çështje.

Një emërues i përbashkët i gjithë kësaj që u cek dëshmon se, si largimet nga vendi ashtu edhe pamundësitë për kthimin në vendin e origjinës, prezantojnë një teren reflektimi që meriton më tepër përkushtim sesa gjithë ato “angazhime të larta politike” që flasin pareshtur për perspektivat evropiane të vendit.

Fundja, shtetet më të zhvilluara me standarde evropiane janë ata që kanë krijuar kushte dinjitoze për popullatën e saj në vend, posaçërisht përmes një ekonomie të shëndosh dhe një shteti të së drejtës, e jo ato që kanë implementuar kryesisht kushte dhe politika për largimin e popullatës së saj nga vendi!

Megjithëkëtë pesimizëm, edhe një optimizëm do të mund të shpalosej në horizontet tona, por jo përmes përforcimit të statusit të “kapësve të shtetit”!

Shkruan: Lirim Begzati – Ekspert juridik shqiptar në Zvicër

Show More

Related Articles

Back to top button