Sipas mediave italiane, Juventusi ka parakaluar Interin si favorit për të nënshkruar me mbrojtësin e Torinos, Gleison Bremer.
Braziliani, i cilësuar si mbrojtësi më i mirë i Serie A në sezonin e kaluar, dukej se do t’i bashkohej nënkampionit si një zëvendësues i mundshëm për Milan Shkriniar, i cili ka qenë cak i disa ofertave nga Paris Sen Zhermenin. Megjithatë, ndërsa nuk ka pasur përparim në lëvizjen e reprezentuesit sllovak te kampioni francez, Juve thuhet se ka rënë dakord për një marrëveshje që mbrojtësi Matijs de Ligt t’i bashkohet Bajern Munihut.
“Sky Sport Italia” raporton se Juve tani janë kryesues në garën për Bremerin pasi janë gati t’i ofrojnë Torinos 40 milionë euro plus bonuse – që është 10 milionë euro më shumë se “nerazzurrët”.
Raportimi shton se Interi është i vetëdijshëm për interesin e Juves dhe shpreson që 25-vjeçari të mos ndryshojë mendje për marrëveshjen verbale të arritur që disa javë tashmë. Përveç që i ofron Torinos një tarifë më të lartë, Juve gjithashtu beson se mund t’i japë Bremerit kushte më të mira se Interi.