Maqedonia mbetet e bllokuar në korrupsion, ndërsa raportet e fundit nga Transparency International e vendosin atë në një pozicion të kritik në indeksin e perceptimit të korrupsionit. Edhe pse ka pasur një rritje në indeks krahasuar me vitin e kaluar, Maqedonia ende ka vështirësi të mjaftueshme për të adresuar këtë problem të rëndë.
Ndryshimet e fundit në kodin penal, të cilat u cilësuan si goditje për sistemin e drejtësisë, shkaktuan polemika të mëdha dhe lanë shenja të ndjeshme në besimin publik tek institucionet gjyqësore dhe prokuroria.
“Në shtator të vitit 2023, Parlamenti i RSM minoi ndjeshëm gjyqësorin. Në mënyrë jotransparente, pas një procedure të shpejtë, deputetët ndryshuan Kodin Penal, i cili solli uljen e dënimit me burg dhe shkurtimin e afatit të parashkrimit të shpërdorimit të detyrës. Kjo do të shkaktojë parashkrimin e rreth 200 rasteve të supozuara të korrupsionit”, tha Blagoja Pandovski, Transparency International – Maqedoni.
Në një nivel ndërkombëtar, Maqedonia renditet në vendin e 76-të në listën e indeksit të perceptimit të korrupsionit, duke e vendosur atë në një pozicion mesatar krahasuar me vendet e rajonit. Ndërsa disa vende si Sllovenia, Kroacia dhe Mali i Zi kanë arritur rezultate më të mira, vende të tjera si Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina vazhdojnë të përballen me sfida të ngjashme në luftën kundër korrupsionit.
“Me siguri mund të themi se ka ende demokraci të pamjaftueshme, transparencë në punën e institucioneve publike dhe sundim të ligjit, të cilat duhet të përmirësohen nëse duam të tregojmë rezultate reale në luftën kundër korrupsionit”, thotë Pandovski.
Për të reduktuar nivelin e korrupsionit në vend, zëdhënësit e organizatave për transparencën shprehen se është e domosdoshme që politika të mos ndërhyjë në punën e sistemit të drejtësisë dhe të promovohet një mjedis ku sundimi i ligjit dhe llogaridhënia janë prioritete kryesore. /Telegrafi/