Fermerët në Francë po mbyllen sot në Paris dhe tregun e shitjes me shumicë të qytetit Renjis me synimin për ta bllokuar atë, siç njoftuan javën e kaluar, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të përmbushur kërkesat e tyre dhe për të bindur fermerët të heqin dorë nga protestat e mëtejshme.
Fermerët nga e gjithë Franca u nisën për në Paris me traktorë, raportoi BFMTV.
Ministri i Brendshëm francez Gerald Dermanen paralajmëroi se nuk do t’i lejojnë ata të bllokojnë tregun me shumicë dhe të paralizojnë Parisin dhe zonën përreth.
Rreth 10,000 protestues vazhdojnë të mbajnë më shumë se 100 bllokada në Francë.
Edhe gjatë fjalimit të djeshëm në Asamblenë Kombëtare, kryeministri francez Gabriel Atal nuk arriti të bindë fermerët që prej gati 15 ditësh protestojnë të heqin dorë nga bllokada. Ministri i Ekonomisë Bruno Le Maire ka premtuar se Franca do të angazhohet që gjatë negociatave në Bruksel të sigurojë që marrëveshja e Bashkimit Evropian me vendet e Mercosur (Brazil, Argjentinë, Uruguai, Paraguaj) të mos nënshkruhet derisa të bëhen ndryshime.
Fermerët francezë po protestojnë veçanërisht kundër një marrëveshjeje të tregtisë së lirë që lejon importin e produkteve bujqësore të lira nga Amerika e Jugut, të cilën ata e shohin si konkurrencë të pandershme.