Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, nuk ka shpjegim konkret se pse përdoruesit e bllokut të parë dhe të dytë, për të cilët premtoi se do të kenë fatura më të ulëta të energjisë elektrike, për muajin dhjetor janë ankuar se kanë marrë pothuajse dyfishin e faturave.
Ai iu bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë në vërtetësinë e faturave, të ankohen në Komisionin Rregullator për Energjetikë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk besoj se ka rritje të çmimeve më shumë se sa është përcaktuar nga Komisioni Rregullator Energjetik, por qytetarët kanë gjithmonë të drejtë ankese. U bëj thirrje nëse mendojnë se ka ndonjë gabim apo keqpërdorim, sigurisht që ta raportojnë dhe do të rregullohet menjëherë”, tha ministri Bekteshi.
Korrigjimi i çmimit aktual të energjisë elektrike Bekteshi, theksoi se nuk do të ketë deri më 1 qershor, sepse ligjërisht çmimi i energjisë elektrike në vend përcaktohet dy herë në vit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri Bekteshi tha se me metodologjinë e re, përdoruesit e bllokut të parë dhe të dytë mund të presin ulje të faturave të energjisë elektrike dhe tarifën e re të hyrjes në rrjet. Ministri paralajmëroi shtrenjtim të energjisë elektrike për ata që në shtëpi shpenzojnë sa një fabrikë./Telegrafi/