Në një sondazh të publikuar nga rrjeti kabllor amerikan, CNN, ish-presidenti Donald Trump është para kreut aktual të shtetit, Joe Biden.
Sipas sondazhit, edhe Nikki Haley, e cila aktualisht është kundërshtarja kryesore e Trumpit në zgjedhjet paraprake republikane, do ta mundte presidentin aktual. Megjithatë, shumica e amerikanëve kanë një opinion negativ si për Trumpin ashtu edhe për Bidenin.
Sondazhi u krye nga agjencia SSRS në fund të muajit janar. Trump u mbështet nga 49 për qind e votuesve të regjistruar ndërsa Biden prej 45 për qind. Kandidatët e tjerë do të merrnin pesë për qind, transmeton Telegrafi.
Preferencat nuk kanë ndryshuar në krahasim me anketën e mëparshme të ngjashme nga fillimi i muajit tetor dhe nëntor. Megjithatë, duke pasur parasysh gabimin statistikor prej rreth tre për qind, ndryshimi midis Trumpit dhe Bidenit është shumë i ngushtë për përfundime të qarta.
Ndërkohë, Nikki Haley mund ta mposht Bidenin me një diferencë edhe më të madhe. Në fund të janarit, 52 për qind e votuesve dëshironin të votonin për 52-vjeçaren, ku politikania republikane përparoi me tre për qind në krahasim me sondazhin e mëparshëm.
Në vend të kësaj, Biden ra për katër për qind, gjegjësisht në 39. Kandidatët e tjerë do të merrnin shtatë për qind të votave. Ndryshe nga Trump, Haley vlerësohet më shpesh nga votuesit si një politikane e moderuar.
Në mesin e amerikanëve mbizotërojnë vlerësimet negative si për Biden ashtu edhe për Trump, ku 59 për qind e të anketuarve kanë një opinion të pafavorshëm për presidentin aktual ndërsa 55 për qind ish-udhëheqësin amerikan.
Megjithatë, në zgjedhjet presidenciale amerikane, faktori vendimtar nuk është numri i votave të qytetarëve, por numri i zgjedhësve të dhënë nga shtetet individuale.
Për shkak të kësaj forme të zgjedhjes indirekte, mund të ndodhë që kandidati që nuk ka marrë më shumë vota nga qytetarët të fitojë zgjedhjet.
Në vitin 2016, Donald Trump u bë president pavarësisht se kishte pothuajse tre milionë vota më pak se kandidatja demokrate, Hillary Clinton.