Aleksandar Vuçiq edhe sot ka vazhduar me spekulime kundër aksioneve të Policisë së Kosovës ndaj strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.
“U sulmuan fshatrat serbe. Pjesëtarët e Policisë së (kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit kanë bastisur sot autoritetet e përkohshme në Pejë, Osojan dhe Klinë”. Këto janë vetëm disa prej insinuatave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në konferencën e sotme për media në Pallatin e Serbisë.
“Të gjitha enklavat serbe u sulmuan pas vendimit formal të Bankës Qendrore e Kosovës, në thelb ishte vendim i Kurtit për largimin e dinarit, i cili po kërcënon edhe me dëbimin e serbëve”, tha Vuçiq.
Kur është fjala për largimin e dinarit, ai tha se nga marrëveshja e parë e Brukselit e deri te të gjitha ato të mëvonshme, norma më e rëndësishme është e drejta e Republikës së Serbisë për të financuar disa aktivitete në shëndetësi, arsim dhe pensione për popullatën serbe përmes Asociacionit, raporton danas.
“Fatkeqësisht, Albin Kurti e mori atë vendim me iniciativën e tij. Me qëllim të spastrimit etnik të popullatës serbe në të gjithë territorin e Kosovës. Ata nuk mund të qetësohen dhe të kuptojnë se dialogu që dërgon drejt normalizimit është i rëndësishëm. Ne kemi dialog sepse Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht. Kurti kërkon çdo herë dhe pret mbështetjen e fuqive perëndimore që të jetë një vend i pavarur. Është e qartë se nuk janë”, tha udhëheqësi i Serbisë.
Ai tha se këtë herë reagimi i fuqive perëndimore është i ndryshëm dhe se deklarata amerikane është më e fortë se ajo e Bashkimit Evropian. Vuçiq beson se partnerët perëndimorë do ta mbajnë fjalën dhe do të kujdesen për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Sipas tij, në Republikën e Kosovës janë rreth 38 mijë të punësuar dhe mbi 29 mijë pensionistë, ndërsa përfitime sociale u jepen rreth 32.580 personave.
Ndryshe, BQK-ja ka vendosur që prej 1 shkurtit në tërë territorin e Kosovës vlejë vetëm valuta evropiane, Euro.