Ushtria izraelite tha se ka shpëtuar dy pengje gjatë një bastisjeje të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit për të liruar mbi 100 pengje që besohet se po mbahen nga Hamasi. Të paktën 50 palestinezë u vranë nga sulmet ajrore që ishin pjesë e kësaj bastisjeje, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë. Bastisja u krye në Rafah, qytet në cepin jugor të Rripit të Gazës ku 1.4 milion palestinezë janë zhvendosur për t’iu ikur luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit në pjesën tjetër të territorit. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se pengjet po mbaheshin në katin e dytë të një banese në Rafah, dhe po ruheshin nga pjesëtarë të armatosur të Hamasit, që gjendeshin si në banesë, por edhe në ndërtesat përreth.
“Ky është një operacion për të cilin ne jemi duke u përgatitur për shumë kohë. Për të kryer një operacion të tillë në Rafah, duhet të jesh në zonë, nuk mund ta kryesh një operacion të tillë pa qenë brenda Rripit të Gazës. Dhe falë këtyre ushtarëve arritëm që të lirojmë pengjet”, deklaroi Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite. /Alsat.mk