Kina i ka bërë thirrje Izraelit të ndalojë operacionin ushtarak në Rafah sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze përmes një komunikate.
“Kina kundërshton dhe dënon veprimet që dëmtojnë civilët dhe shkelin ligjin ndërkombëtar. Pekini i kërkon Izraelit të ndalojë operacionet e tij ushtarake sa më shpejt të jetë e mundur dhe të bëjë çdo përpjekje për të shmangur viktimat e pafajshme civile, për të parandaluar një fatkeqësi më serioze humanitare në zonën e Rafahut”, thuhet në deklaratë.
Edhe presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë se një ofensivë izraelite në Rafah “nuk duhet të vazhdojë pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë” e më shumë se një milion palestinezëve të strehuar atje.
Dje ushtria izraelite, me një sulm të forcave speciale, liroi dy pengje të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor në Rafah, në jug të Rripit. Ky i fundit kishte thënë se ishin mbajtur ‘në shtëpinë e një familjeje’, ndërsa Hamasi kishte njoftuar vdekjen e tre të tjerëve të rrëmbyer nga bombardimet. Dhe ai tha se të paktën njëqind njerëz kishin vdekur në sulmet izraelite.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu , i cili i kishte dhënë dritën jeshile aksionit ditët e fundit, e quajti blicin “një nga operacionet më të suksesshme të shpëtimit në historinë e Izraelit”. Për ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant , operacioni përfaqësoi “një pikë kthese në fushatën kundër organizatës terroriste Hamas, e cila është e prekshme dhe e depërtueshme”.