Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbikëqyri testimin e një rakete të re tokë-det të mërkurën e 14 shkurtit dhe vizitoi një fabrikë të madhe municionesh, ku ai bëri thirrje për një rritje të prodhimit të armëve, njoftoi media shtetërore e vendit të enjten.
Sipas Ushtrisë së Koresë së Jugut, Koreja e Veriut lëshoi disa raketa lundrimi në brigjet e saj lindore të mërkurën, të fundit nga testet e shumta që janë kryer në javët e fundit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të prillit në Korenë e Jugut.
Imazhet e transmetuara nga televizioni shtetëror KRT treguan Kim duke mbikëqyrur raketën e re, të quajtur Padasuri-6, ose “Shqiponja e Detit-6”, fluturoi mbi det dhe goditi objektivin e synuar. Kim dha urdhra për të forcuar gatishmërinë ushtarake në ujërat në veri të ishullit Yeonpyeong dhe në perëndim të gadishullit Korean, në rajonin e NLL, tha KRT.
Kim gjithashtu inspektoi një fabrikë të madhe municionesh dhe mësoi në detaje rreth modernizimit të prodhimit, tha media tjetër shtetërore KCNA dhe publikoi fotografi të palëvizshme të Kim duke vizituar fabrikën me disa zyrtarë, ndërsa fytyrat e këtyre të fundit ishin të paqarta, çka u pa si përpjekje për të fshehur identitetin e tyre.
Vizita e Kim në fabrikën e municioneve vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë akuzuar Korenë e Veriut për tregti të armëve me Rusinë. Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar tha se Rusia kohët e fundit kishte përdorur raketa balistike me rreze të shkurtër (SRBM) me burim nga Koreja e Veriut për të kryer sulme kundër Ukrainës.