BotaLajme

Armëpushimi në Gaza, presidenti i Izraelit takohet me kryeministrin e Katarit

Presidenti izraelit Isaac Herzog thuhet se u takua “fshehurazi” me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdul Rahman al-Thani, në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut për të diskutuar negociatat në vazhdim për shpalljen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Takimi i pazakontë midis presidentit dhe kryeministrit erdhi në një moment “kritik” të negociatave, pasi negociatorët vazhdojnë përpjekjet për të bërë përparim, pavarësisht nga një hendek i madh në atë që po kërkohet nga Izraeli dhe

Lëvizja e Rezistencës Islamike Palestineze, e njohur si Hamas. Duke cituar një burim të paidentifikuar, Herzog mori me vete në Mynih disa nga pengjet e liruar në nëntor dhe të afërm të pengjeve.

Sipas burimeve izraelite, më shumë se 130 pengje izraelite janë në duart e Hamasit në Rripin e Gazës edhe pse një zëdhënës i ushtrisë tha javën e kaluar se të paktën 31 prej tyre besohet të jenë të vdekur, nga rreth 250 të rrëmbyer në sulmin e paprecedentë.

Një armëpushim njëjavor në nëntor lejoi lirimin e më shumë se 105 prej tyre dhe në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Në të dyja anët, ishin kryesisht gra dhe fëmijë.

Zyrtarët e Katarit dhe Egjiptit të mbështetur nga SHBA-ja po ndërmjetësojnë një armëpushim të ri në luftën më shumë se katër mujore. Qëllimi është të lirohen më shumë pengje dhe të burgosur palestinezë në faza dhe të shpërndahet më shumë ndihma për civilët në Rripin e Gazës.

Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu argumenton se mungesa e plotë e progresit është për shkak të pretendimeve “delirante” të Hamasit. Negociatorët shpresojnë se një marrëveshje do të arrihet përpara Ramazanit, i cili fillon më 10 mars.

Përveç presidentit izraelit Herzog, në konferencën e Mynihut pritej të merrte pjesë edhe ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz.

Të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të Autoritetit Palestinez dhe të vendeve arabe, veçanërisht nga Arabia Saudite, Katari, Egjipti dhe Jordania.

Seanca përfundon të dielën.

Show More

Related Articles

Back to top button