E paralajmëruar disa vite më parë, ndalesa e importit të veturave nën standardin EURO-5 do të presë kohë të tjera. Në mbi 10 vitet e kaluara, mbi 350.000 makina, autobusë dhe kamionë të vjetër u importuan në shtet. Vetëm në vitin 2023, në vend janë importuar gjithsej 47.050 automjete, nga të cilat 35.832 janë të përdorura, ndërsa 11.218 janë importuar si automjete të reja.
Interesimi për blerjen e automjeteve tek qytetarët e Maqedonisë vjen në kohën kur ekzekutivi është larg vendimit për ashpërsimin e kushteve për importin e automjeteve të përdorura, apo ndalesës së importit të atyre automjeteve që kanë qenë të prodhuara para vitit 2009 dhe nuk i plotësojnë standardet EURO 5. Në vitin 2021, qeveria e Maqedonisë paralajmëroi ndalesën e importit të mjeteve motorike më të vjetra se 10 vjet. Megjithatë, realizimi mbeti vetëm në letër. Në vend të kësaj, më 17 tetor 2023, Qeveria vendosi të ndryshojë përllogaritjen e taksës për mjetet motorike. Kështu u paralajmëroi rritje e tarifave për automjetet e vjetra, duke i larguar kështu qytetarët nga blerja e tyre.
E planifikuar fillimisht që të bëhet një analizë, e më pas të merret vendimi për ndalimin e importit, ajo u orientua ndaj analizë s të Ministrisë së Financave lidhur me reformat e taksimit të automjeteve, të cilën e koordinoi Banka Botërore. Analiza duhej të ofrojë një Plan Veprimi, në të cilin do të duhet të përcaktohet saktësisht periudha e heqjes së standardit EURO 4 për automjetet dhe futjes së standardit EURO 5. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se veprojnë sipas vendimeve të Qeverisë. “Deri më tani, Ministria e Ekonomisë nuk ka marrë asnjë udhëzim apo kërkesë nga Qeveria për ndryshimin apo plotësimin e kushteve tashmë të parapara, specifikimeve teknike dhe standardeve EURO për automjetet që importohen. Vendimin për plotësimin e kushteve, specifikimeve teknike dhe standardeve EURO e merr Qeveria dhe nëse merret një vendim i tillë, Ministria e Ekonomisë do ta zbatojë brenda afatit që do të jepet”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Në ndërkohë në vend të uljes së kufirit për importin e veturave të vjetra, ekzekutivi vendosi shtrenjtimin e caktuar të importit të veturave.
Në muajin tetor 2023, Qeveria miratoi ndryshimet në Rregulloren për mënyrën e përllogaritjes së tatimit të automjete dhe vlerave të nevojshme për përllogaritjen e tatimit për automjetet për shkak të nevojës së aplikimit të metodologjisë së re për përllogaritjen e sasisë së shkarkimit të gazrave nga automjetet, e cila është në drejtim të mbrojtjes së mjedisit jetësor, përmbushjes së detyrimeve nga Marrëveshja klimatike e nënshkruar në Paris për uljen e emetimit të gazeve serrë neto, si dhe harmonizimin me standardet e reja të BE-së.
Me zbatimin e koeficientëve të përcaktuar për përllogaritjen e komponentit specifik për CO2 të tatimit mbi automjetet, mundësohet tatimimi i përforcuar përmes tatimit mbi automjetet për ndotësit e mëdhenj, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e automjeteve luksoze të udhëtarëve ose automjeteve shumë të vjetra që janë më pak ekologjike në aspektin e ndotjes së mjedisit. Qëllimi është të inkurajohen qytetarët dhe kompanitë që të investojnë në blerjen e automjeteve që plotësojnë standardet më të larta ekologjike, pavarësisht nëse bëhet fjalë për blerjen e automjeteve të reja apo tashmë të përdorura, me ç’rast në këtë mënyrë do të kontribuohet në dekarbonizimin e transportit në vend dhe në uljen e ndotjes së ajrit.
Sipas të dhënave të cilat i disponon Drejtoria Doganore për importin e automjeteve të udhëtarëve në vend, Rregullorja e re nuk do të ketë ndikim financiar negativ te blerësit e veturave të reja, përveç veturave që bien në kategorinë e veturave luksoze etj., automjetet premium. Përkundrazi, pritet që Rregullorja e re të kryej presion në rënie ndaj çmimit të shitjeve të veturave të reja të kategorive të ulëta ose të mesme. Sa i përket automjeteve të përdorura të udhëtarëve, mund të ketë ndikime fiskale negative edhe te automjetet e kategorive luksoze, si dhe te automjetet shumë të vjetra. Në të dyja rastet – gjatë blerjes së automjeteve të reja ose të përdorura, Rregullorja do të zbatohet ndaj vlerës së tatimit të automjeteve për automjetet që i përkasin grupit të ndotësve më të mëdhenj, të emetimit të lartë të gazrave të shkarkimit CO2 që importohen në vend në numër më të vogla.
IMPORTI I VETURAVE TË VJETRA NË RAJON
Në shtetet e rajonit ekzistojnë kufi të ndryshëm për vjetërsinë e veturave të vjetra nga importi. Në rrugët e Kosovës vazhdon të ketë automjete të viteve 80-ta, të cilat përveç që ndotin ambientin, janë edhe të pasigurta në komunikacion, gjë që shtojnë gjasat për aksidente. Megjithatë, ekspertë dhe drejtues të institucioneve, nuk e shohin të rrugës, që qytetarëve t’iu mundësohen regjistrimi i veturave të kapshme për xhepin e tyre, e të cilat do të ndikonin për një ambient më të mirë dhe siguri më të madhe në rrugë. Në Kosovë mbetet në fuqi ligji me të cilin, një veturë mund të regjistrohet dhe të pajisjet me targat RKS, vetëm nëse është nga viti 2013-2023, konkretisht 10 vite më e vjetër nga viti ekzistues. Për një numër të madh të qytetarëve, regjistrimi i veturave të vitit 2013, është i pamundur. Kjo për shkak se deri tek targat, më e lira do t’i kushtonte rreth 3500 euro, pa llogaritur blerjen e veturës në vendet evropiane dhe koston e importit deri në Kosovë.
Qytetarët janë pro ndryshimit të ligjit aktual, i cili nuk lejon regjistrimin e veturave nga viti 2000-2010. Ata thonë se përveç ruajtjes së ambientit, veturat e viteve 2000, janë më të sigurta se sa ato të viteve të më hershme, të cilat qarkullojnë ende në rrugët e Kosovës. Në maj të vitit 2022 , Qeveria e Kosovës pati diskutuar për lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet. Zyrtarë të saj patën thënë se “në kuadër të analizave për shikimin e politikave tatimore, janë duke e trajtuar një opsion të tillë”. Por, pavarësisht kësaj, ende nuk ka ndonjë ndryshim të vendimit.
Nga Ministria e Infrastrukturës thonë se janë duke hulumtuar mënyrën e rregullimit të importit të automjeteve në funksion të mbrojtës, në kuadër të një projekti të financuar nga Qeveria e Japonisë. MI-ja potencon se pjesë e hulumtimit është mundësia që kufizimi të bëhet përmes euro normave, ku importi kufizohet në euro V.
Nga 1 janari i këtij viti, Shqipëria dhe Serbia kanë ndaluar importin e automjeteve me standarde të emetimit nën EURO 5. Në shtetin më të vogël në Ballkan, automjetet të cilat janë më të vjetra se 15 vjet nuk do të importohen më. Së fundmi është njoftuar se në Mal të Zi, gjatë këtij viti Ministria e Transportit dhe Detit do të kërkojë ndryshime në rregullore në mënyrë që standardi i ri minimal për importe të jetë “Euro 5”. Gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Bashkimi Evropian prezantoi standardet “Euro”, të cilat paraqesin kufizime ligjore për emetimin e gazrave të dëmshëm nga automjetet
Rregullorja e re ndalon importin e makinave të standardit “Euro 4”. Sipas autoriteteve ky vendim synon rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit. Aktualisht, automjetet e importuara të standardit “Euro 4”, të cilat janë kryesisht mbi 15 vjeç, janë identifikuar si të dëmshme si për sigurinë rrugore ashtu edhe për mjedisin. Sipas rregullores së re, importi i automjeteve më të vjetra se 2009 do të jetë më i godituri. Kjo korrespondon me vitin kur standardi “Euro 5” hyri në fuqi në BE. Në Mal të Zi, importet e automjeteve të reja duhet të jenë në përputhje me standardin “Euro 6”, ndërsa automjetet e përdorura aktualisht lejohen sipas standardit “Euro 4”. Ndalimi nuk do të ndikojë në përdorimin e automjeteve “Euro 4” tashmë të importuara, me kusht që ato të plotësojnë kriteret e regjistrimit.
Kalimi në standardin “Euro 5” nënkupton një hap të rëndësishëm mjedisor, duke reduktuar emetimin e lejuar të monoksidit të karbonit nga 1.14 gram në 1 gram për kilometër. Ky ndryshim është në përputhje me përpjekjet e vazhdueshme të Malit të Zi për të frenuar ndotjen e ajrit, duke pasur parasysh se sipas standardit ‘Euro 1’, automjetet mund të lëshojnë deri në 13 gramë monoksid karboni, një ndotës kryesor i ajrit. \Koha\