LajmeMaqedoni

Pollog, ulet ndjeshëm numri i lindjeve

Është ulur për 10 për qind numri i lindjeve në Maqedoninë e Veriut në vitin 2023 krahasuar me vitin paraprak. Sipas Entit Shtetëror për Statistika rënia e ndjeshme e lindjeve ka prekur edhe rajonin e Pollogut. Sipas mjekëve kjo ndodh kryesisht për shkak të shpërnguljes masive të të rinjve.

“ Sipas të dhënave të Entit të Statistikave dhe IPSH është vërejtur rënie e të lindurve diku për dhjetë për qind, për krahasim prej vitit 2022-2023, që për fat të keq kjo ndjehet dukshëm nga shifrat që marrim nga ky institut. Ekzistojnë shumë faktor që ndikojnë në rënien e numrit të përgjithshëm të të porsalindurve, por një ndër faktorët kryesor është emigrimi i të rinjve në shtetet e Evropës Perëndimore, që ka sjellë në rënie të lindjeve. Ndërsa në vendin e dytë janë çiftet e reja që refuzojnë të kenë më shumë se dy fëmijë”, tha Merale Rexhepi, Kryeshefe e repartit të gjinekologjisë.

Sociologu Ali Pajaziti thotë se ky fenomen ndodh kryesisht si pasojë e frikës për sigurimin e të ardhurave për familjen por edhe mënyrës moderne të jetës, që nënkupton sa më pak fëmijë aq më shumë të ardhura për familjen.

“Ky fenomen ndodh si rrjedhim i modernizimit të familjes, i ndryshimit të mendësisë dhe konceptit mbi këtë vatër të shenjtë, si dhe ndryshimit të mënyrës së jetesës apo live stajllit, i të kuptuarit të familjes si një njësi më tepër ekonomike se sa një vatër ku njeriu vetë realizohet dhe e gjen prehjen apo kënaqësinë. Mendohet se sa më e madhe të jetë familja aq më shumë ka probleme për të realizuar ëndrrat e çiftit i cili për këtë mjaftohet me një apo maksimum dy fëmijë. Ka madje edhe trendë të asaj që e quajmë mos lindje aspak apo abstenim, duke u nisur nga mantra e modernitetit, “No children – more income”. Si pasojë kjo do ketë tkurrjen tonë demografike, pra rënien e numrit si etnitet apo popullatë në RMV”, u shpreh Ali Pajaziti, Sociolog.

Ndryshe nga lindjet e zakonshme, në vendin tonë gjatë vitit 2022, janë shënuar edhe 17 foshnje të lindura të gjalla nga nëna të moshës nën 15 vjeç. Numri i foshnjave të lindura nga çiftet e pakurorëzuar është 2 298 ose 12.7%, nga numri i përgjithshëm i lindjeve./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button