UEFA prezantoi formatin e ri të Ligës së Kampionëve, i cili vihet në fuqi në sezonin 2024-2025, ku pritet të ketë me shumë ndeshje, spektakël dhe me shumë rivalitet.
Skuadrat pjesëmarrëse do të jenë 36, me kampionatet më të rëndësishme që ashtu si aktualisht kanë nga 4 skuadra, por me një rrisi, pasi klasifikimi sezonal i UEFA-s, do t’u dhurojë nga një skuadër më shumë dy kampionateve më të mira, që aktualisht kryesohet nga Italia. Në grup, ku do të jenë 36 skuadrat, çdo ekip do të luajë 8 ndeshje, ndryshe nga 6 që luan tani. Tetë kundërshtarët e drejtpërdrejtë do të përcaktohen nga shorti i muajit gusht në Montekarlo. 36 skuadrat do të ndahen në 4 vazo me nga 9 ekipe, në bazë të klasifikimit për klube, ku skuadrat kampione do të jenë në vazon e parë.
Çdo skuadër do të shortohet nga dy kundërshtarë nga çdo vazo, me njërën prej të cilave do të përballet në shtëpi, ndërsa me tjetrën në transfertë. Pasi të kenë mbaruar ndeshjet e grupit, 8 skuadrat që do të jenë të parat në renditje kualifikohen direkt për në 1/8 e finales. Skuadrat nga vendi i 9-të deri në të 16-in, do të përballen me ato nga vendi i 17-të deri në të 24-in, në sfidat e “play off”.
Tetë fitueset e “Play off”-it do të bashkohen me 8 skuadrat që ishin renditur të parat, ndërsa 8 skuadrat humbëse eliminohen, ashtu si dhe ato që në grup ishin renditur nga vendi i 25-të në të 36-in. Një tjetër rrisi është se nuk do të ketë një kalim në Liga Europa, si më parë për vendet e treta në grupe. Ndërkohë 16 skuadrat e mbetura do të sfidohen pastaj në 1/8, çerekfinale, dhe gjysmëfinale me ndeshje vajtje-ardhje, e deri në finalen unike.
Do të ketë vetëm një short në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, ai në muajin gusht. Për skuadrën që shkon deri në finale do të ketë në total 15 ndeshje, 17 për ato që kalojnë nga play-offi. Sistemi revolucionarizon edhe Liga Europa dhe Liga e Konferencës, pasi që dy turnetë do të kenë formulën e njëjtë, me 36 skuadra dhe një grup të vetëm, por në Ligën e Konferencës parashikohen vetëm 6 dhe jo 8 ndeshje.