LajmeMaqedoni

Taravari prezantoi tre synimet e tij në garën për president

Në një konferencë për media, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe kandidati për president i opozitës shqiptare VLEN, Arben Taravari, ka prezantuar tre synimet e tij në garën për president, transmeton Portalb.mk.

“Unë dhe partnerët synojmë që hapja e ardhshme e kushtetutës të përfshijë tre elemente: Futjen e bullgarëve dhe pakicave tjera në Kushtetutë;  Heqjen e 20 përqindëshit që definon gjuhën shqipe dhe Zgjedhjen e presidentit ta bëjmë në Kuvend e jo më përmes zgjedhjeve”, deklaroi Taravari.

Kandidati për president nga koalicioni opozitar VLEN ka theksuar që do të angazhohet që për herë të parë një kandidat shqiptar të arrin në xhiron e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Në këtë mënyrë, në të ardhmen, forcat politike që përfaqësojnë dy kombësitë më të mëdha do të vendosin bashkë në Kuvend për shpërndarjen e tre posteve më të larta shtetërore”, deklaroi Taravari, i cili ka kërkuar edhe mbështetjen e BDI-së, duke përkujtuar që më herët kjo parti ka mbështetur edhe kandidat maqedonas.

Deri tani, kandidatura për president kanë shpallur Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët me përkrahje të Lidhjes Evropiane për Ndryshim (Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike), E Majta (Levica) ka propozuar për kandidate Biljana Vankovskën e cila njihet për gjuhë të urrejtjes, GROM-i do të garon me Stevçe Jakimovskin, ndërsa kandidaturë të pavarur ka paralajmëruar edhe Velo Markovski. LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja ende nuk kanë shpalosur zyrtarisht emrat e kandidatëve për president

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, do të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.

Show More

Related Articles

Back to top button