Zvicër : Përse gjithë ato përçarje për një reformë pensionale ?
Më 3 mars 2024, në Zvicër do të votohet lidhur me një nismë popullore të sindikalistëve të quajtur “Me jetuar më mirë në pension”. Sipas tekstit të nismës, kërkohet aplikimi i një pensioni/rente të 13-të (AVS-AHV), i ngjashëm me pagën e 13-të mujore që është shumë e përhapur në praktikën zvicerane.
Vështirësitë financiare me të cilat ballafaqohen tepër e më tepër pensionistët zviceranë i kanë shtyrë iniciuesit (posaçërisht nga rrjetet sindikaliste dhe partitë e majta) që të propozojnë rritjen e nivelit të pensionit.
Ndër arsyet kryesore veçohen ata që ndërlidhen me rritjen e inflacionit dhe uljen e fuqisë blerëse, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në uljen e vlerës së të ardhurave të pensionit.
Pagesa e kërkuar shtesë synon posaçërisht rritjen e fuqisë blerëse. Kështu që propozuesit vlerësojnë se pensionistët kanë nevojë për më shumë mbështetje për shkak të rritjes së kostos së jetesës.
Janë sidomos çmimet e qirasë, të sigurimit shëndetësor dhe shpenzimet kryesore të jetesës, ata të cilat janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, kurse rritja e pensioneve ka stagnuar apo ka pësuar vetëm ndonjë ndryshim vetëm simbolik.
Përdoret ndërkohë edhe preteksti se sigurimi aktual AVS-AHV nuk e përmbush më misionin për sigurimin e minimumit jetik, një mision ky kushtetues i ligjvënësit zviceran.
Nëse nisma do të pranohej, pensioni i 13-të mujor do të paguhet që nga viti 2026.
Përkrahësit kanë argumente të shumta për mbështetjen e këtij propozimit, por edhe kundërshtarët i kanë shpalosur arsyet e tyre për mos përkrahjen e tij.
Kritika më e ashpër që i drejtohet propozimit të bërë lidhet sidomos me mënyrën e financimit.
Në fakt, kritikuesit pretendojnë se burimet e financimit të kësaj rritjeje nuk janë të shpalosura bindshëm dhe qartë në tekstin e nismëtarëve, duke e theksuar edhe atë se nisma i parashikon vetëm disa burime hipotetike të financimit, siç janë fitimet e realizuara nga Banka kombëtare zvicerane, rritja e tatimeve ose nga ngritja e kontributeve nga rrogat.
Nëse analizohet gjendja aktuale, rreth 50 miliardë franga në vit i nevojiten sigurimit pensional (apo siç quhet (sigurimi i të pleqërisë dhe të mbijetuarve (AVS-AHV – shtyllës së parë të sigurimit pensional zviceran)) për me i mbuluar pagesat që duhet bërë për pensionistët.
Kjo shumë parash vjen në masë të madhe nga kontributet e paguara nga punëtorët dhe punëdhënësit e tyre.
Pasi kontributet në fjalë nuk mjaftojnë, financimi sigurohet nga burime të tjera, siç janë kontributet e Konfederatës e cila paguan 20 për qind të shpenzimeve. Kësaj i shtohen edhe të ardhurat që vijnë nga taksat mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi nga lojërat e fatit.
Nëse mbështetësit e nismës besojnë se rritja e pensionit është e përballueshme financiarisht, kjo nuk vlen pra edhe për kundërshtarët të cilët fokusohen posaçërisht në thënien “assesi nuk mund të financohet një ndryshim përmes parave që nuk ekzistojnë”.
Nëse iniciativa do të pranohej, nevojat do të rriten menjëherë rreth 4 deri 5 miliardë franga në vit.
Bile edhe nëse nuk do të kalonte votimi për pagesën e pensionit të 13-të, shuma e shpenzimeve të pensioneve do të rritet dukshëm në vitet e ardhshme, pasi me shtimin e numrit të pensionistëve, do të shtohet gradualisht edhe niveli i pagesave.
Për me i mbuluar këto pagesa, sipas parashikimeve, disa miliardë janë në pyetje që do të duhet të sigurohen këto dhjetë vitet e ardhshme.
Edhe ndikimi i pensionistëve që jetojnë jashtë vendit zë një vend parësor në debatet e shumta. Jo më pak se 800 mijë përfitues të pensioneve jetojnë jashtë vendit – apo gati se një e treta e pensionistëve.
Këtu përfshihen shtetasit zviceranë që jetojnë jashtë vendit dhe të huajt pensionistë që janë kthyer për të jetuar në vendin e tyre të origjinës apo diku tjetër.
Sigurimi AVS-AHV paguan afërsisht 7 miliardë franga në vit për pensionistët jashtë vendit. Prandaj ky grup pensionistësh luan një rol të rëndësishëm në fushatën e votimit, ku shumë kundërshtarë nuk do të mund të imagjinonin që kësaj kategorie t’iu shtohet një pension i 13-të.
Në fakt, argumenti i tyre mbështetet sidomos në atë se në shtetet ku janë të vendosur këto pensionistë kostoja e jetës shpeshherë është gati se e pakrahasueshme me atë të Zvicrës.
Kundërshtarët nuk janë të kënaqur as me faktin se me rritjen e pensioneve do të përfitonin gjithashtu personat me të ardhura të larta.
Instancat më të larta qeveritare dhe parlamentare zvicerane rekomandojnë refuzimin e iniciativës, duke vlerësuar se është shumë e shtrenjtë, dhe se konteksti aktual është i papërshtatshëm pasi AVS-AHV gjendet akoma në një etapë të nevojës së konsolidimit të mëtejshëm të financave.
Duhet me respektuara të gjitha “kampet” që shpalosin qëndrimet e tyre.
Por, ajo që duket më e qartë në krahasim me disa argumente të tjera është fakti se sigurimi aktual AVS-AHV nuk është i adaptuar konformë dinamikës së rritjes së kostos së jetës. Ai duhet pra të pësoi ndryshime.
Arsyet e natyrës financiare nuk duken si një pretekst bindës, nisur nga fakti se në shtetin zviceran ekzistojnë shumë sektorë të tjerë ku mund të bëhen kursime, e jo domosdo në atë të pensionimit!