LajmeRajon

 Burgim të përjetshëm pilotit/ Greqi, Babis Anagnostopoulos vrau gruan e tij Caroline

Pas gati një muaji që ka filluar procesi, gjykata e Athinës ka shpallur në mënyrë unanime se piloti grek, Babis Anagnostopoulos, është fajtor për vrasje me paramendim të gruas së tij Caroline Crouch, 20 vjeç, një vit më parë në shtëpinë e tij. 7 gjyqtarët dhe juristët konkluduan se piloti 34-vjeçar dënohet me burgim të përjetshëm për vrasje me paramendim dhe 11 vjet e gjashtë muaj për keqtrajtim të kafshëve dhe shkeljen e ligjit për deponime të rreme të vazhdueshme si edhe një gjobë prej 21 mijë eurosh. Prokurorja e çështjes ka theksuar se faktet tregojnë se vrasja ishte gjakftohtë dhe e planifikuar. 34 vjeçari pasi ka vënë fëmijën e tyre 11 muajshe në gjumë, e ka mbytur gruan e tij me jastëk, ndërsa ajo ​flinte ,duke qëndruar shtrirë mbi të ,deri sa ka dhënë shpirt dhe më pas ka filluar të zbatojë planin e pafajësisë. Në fillim ka sjellë foshnjën pranë saj, ka varur qenin e familjes tek gardhi jashtë ,duke inskenuar edhe një sërë hollësish deri tek telefonata në polici e më pas ka pohuar tek policët se hajdutët e armatosur hynë në shtëpi​ ​gjatë natës, duke e lidhur dhe duke i zënë gojën atij dhe gruas në dhomën e gjumit, ndërsa vajza flinte. Pas 37 ditësh​ nga tragjedia​ hetuesit kanë zbuluar mospërputhje në rrëfimin e ngjarjeve, deri sa e kanë arrestuar dhe ai ka pranuar vrasjen. Anagnostopoulos është cilësuar nga avokati i familjes së viktimës si “një aktor me shumë talent” që mendonte se kishte kryer “krimin e përsosur” për të cilin mbeti paturpësisht i papenduar.

Show More

Related Articles

Back to top button