Deklarata e kreut të OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski për mediat në vend që idea e Bashkimit Demokratik për Integrim duhet të injorohet, tregon dobësi, pasiguri dhe nuk përkon me realitetin politik në vend, thuhet në reagimin e sotëm të BDI-së.
“Pasi vazhdimisht injoron porositë nga SHBA, Bashkimi Europian dhe nga vendet mike për ndryshime kushtetuese, ai tani po kërkon të injorohet edhe kërkesa e BDI-së dhe e drejta plotësisht legjitime qytetarëve për President të vendit.
Me doktrinën e këtillë të ndasive etnike në thelb jodemokratike dhe me qasjen izoluese nga SHBA dhe BE, OBRM-PDUKM rrezikon të ardhmen europiane të qytetarëve të vendit.
OBRM-PDUKM-së dhe Mickoskit ju pengojnë qëndrimet dhe misionet demokratike dhe europiane të BDI-së, i pengon barazia e etabluar me Marrëveshjen e Ohrit, i pengon çdo kauzë e inicuar nga BDI për Maqedoninë europiane, që e tillë mund të jetë vetëm duke qenë vend që ofron mundësi të barabarta për të gjithë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI, shtojnë nga atje, mbetet e vendosur në realizimin e kërkesës së saj programore për zgjedhjen e Presidentit të vendit me 2/3 e votave në Kuvend dhe me shumicë të Badenterit. Asgjë të keqe nuk e ka gjetur vendin nga faktorizimi institucional i shqiptarëve, asgjë e keqe nuk do ta gjejë as nga Presidenti i parë shqiptar./Telegrafi