BotaLajme

Zelensky: Dështimet e Putinit janë siguria jonë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se dështimet e udhëheqësit rus, Vladimir Putin janë siguria e tyre. Sipas tij, i njëjti po bën përpjekje që të përdor diktakte të vjetra për shtetet të veprojnë siç dëshiron ai. Kështu u shpreh ai në fjalën hapëse, në kuadër të samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që po mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ai tha se nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme në të, ku dikush meriton më shumë siguri, ndërkohë që ka vende të cilat nuk po jetojnë në paqe.

“Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që bën dhe gjithçka që ai dëshiron që të bëjë duke detyruar kombet tjera që edhe ato të bëjnë ashtu siç thotë ai, është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet, me çfarë bien dakord ato. Është shumë e rëndësishme për gjithë kombet tona, për shtetet e lira që Putini, regjimi i tij të humbas. Sepse dështimet e tij janë siguria jonë”, deklaroi ai.

Zelensky u shpreh mirënjohës të gjithë kombeve që kanë përkrahur Ukrainën dhe siç u shpreh ai, formulën e paqes.

“Ne besojmë që respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë e kombeve për të pasur siguri, si dhe edhe zgjedhjen e pavarur për fatin e tyre duhet të jenë parime universale. Dhe gjitha këto nëpërmjet bashkëpunimit tonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë të qartë. Së pari ne besojmë çdo shtet, çdo komb në Evropë që i ruan parimet e komunitetit evropian dhe atë euroatlantik dhe dëshiron të bëhet anëtare e këtyre komuniteteve meriton integrimin e plot. Ukraina mbështet vendet tuaja për integrimin evropian dhe ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që po na jepni për integrimin tonë”, shtoi ai.

Presidenti i Ukrainës theksoi se gjatë kësaj lufte kanë treguar se është e mundur që të fitosh mbi armikun më të fuqishmin në botë.

“Ne kemi treguar, kemi vërtetuar që është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket se është një nga më të fuqishmit në botë, më të fortit në botë. Çdo komb mund t’ia dal mbanë me mbrojtje dhe të fitojë, kur kombet e ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë. Ne propozojmë që të gërshetojmë pikërisht këto lloj përpjekjesh tona dhe të fuqizojmë ato. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë, funksionojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë. Por nuk mjafton kjo të fitojmë mbi Putinin, ne shikojmë probleme edhe në ofertën sa i përket municioneve, të cilat ndikojnë në situatën tonë në fushën e betejës”, përfundoi ai.

Në hapje të këtij samiti, ai propozoi që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit.

Liderët do të diskutojnë për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen e Kievit në luftën e tij kundër pushtimit rus.

Ky samit po mbahet me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku po merr pjesë edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Po ashtu, edhe udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, ku Kosova po përfaqësohet nga presidentja, Vjosa Osmani.

Show More

Related Articles

Back to top button