LajmeMaqedoni

RMV, ka mbaruar testimi i sistemit të ‘Safe City’, dënimet e shoferëve do të dërgohen me postë në shtëpi

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur për Plusinfo se pajisjet e sistemit “Safe City” tashmë janë testuar sa i përket shpejtësisë dhe kalimit në semafor të kuq. Rezultatet e testimit të pajisjeve dhe kamerave janë pozitive, transmeton Portalb.mk.

“Zbatimi i përmirësimit të sistemit “Safe City” është në fazën fillestare. Arritja e të gjitha pajisjeve dhe përgatitjet për vendosjen e lokacioneve të reja janë në vazhdim e sipër”, kanë thënë për Plusinfo nga MPB.

Ata shtuan se afati kohor i zbatimit për përmirësimin në sistemin Safe City është informacion i klasifikuar.

“Për momentin nuk mund të informojmë se kur saktësisht do të vihet në përdorim sistemi i ri. Sa i përket pyetjes se cili është çmimi i përmirësimit të sistemit “Safe City” dhe cila është kompania që angazhohet për zbatimin e tij, i njëjti është informacion i klasifikuar”, shtoi MPB.

Siç është raportuar deri tani, kalimi në dritë të kuqe, shpejtësia, parkimi i gabuar dhe shkelje të ngjashme do të regjistrohen nga kamerat e reja të Safe City dhe gjobat për shkeljet e trafikut do të dërgohen në adresat e shtëpive të pronarëve të makinave.

Sipas informacioneve të Plusinfo, por edhe të konfirmuara nga Ministria e Brendshme, ende nuk janë miratuar ndryshimet ligjore për vënien në funksion të sistemit. Me këto ndryshime duhet të mundësohet përdorimi i fotos së veprës së kryer nga shoferi si provë për sanksionimin e tij.

“Janë në proces ndryshimet në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, me qëllim të rregullimit të mënyrës së sigurimit dhe dërgimit të materialit dëshmues nga kryesi i veprës penale”, thonë nga MPB.

Pas nisjes së sistemit të ri me kamerat e reja, drejtuesit e mjeteve do të duhet të jenë shumë më të kujdesshëm, pasi do të gjobiten për çdo rritje të shpejtësisë mbi kufirin e lejuar të shpejtësisë. Gjithashtu, sistemi do të regjistrojë ato mjete që do të kalojnë në kryqëzim kur të jetë ndezur drita e kuqe.

Krahas këtyre gjobave, “Qyteti i sigurt” do të shqiptojë edhe gjoba për mjetet e parkuara në mënyrë të paligjshme, të cilat pengojnë qarkullimin normal në zonat e qytetit.

As shoferët që nuk vendosin rripin e sigurimit, si dhe ata që përdorin celularin gjatë drejtimit të makinës, nuk do të jenë të kursehen.

Kamerat që do të regjistrojnë shkeljet në komunikacion do të jenë në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe në autostrada, ndërsa në të ardhmen po mendohet për vendosjen e sistemit “Qyteti i sigurt” edhe në qytetet tjera të vendit dhe në autostrada.

Show More

Related Articles

Back to top button