GostivarLajme

Mjeku i mirënjohur Dr.Shoip Shoipi i hyn garës për deputetë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci

Doktori i shkencave biomedicinale dhe subspecialisti në onkologjinë urologjike në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb, dr.Shoip Shoipi ka shpallur kandidaturën për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kroaci.

Doktori i mirënjohur me origjinë nga Gostivari përmes një porosi në rrjetet sociale ka bërë të ditur qëllimin dhe misionin se përse ka marrë një vendim të tillë, përcjell INA.

“Me krenari dhe gëzim shpall kandidaturën time për përfaqësues në Parlamentin Kroat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare me qëllim që të përfaqësoj në mënyrë të barabartë interesat e pakicave kombëtare shqiptare, boshnjake, malazeze, sllovene dhe maqedonase në vendin tonë të bukur dhe të përbashkët. Zemra ime është e mbushur me shpresë dhe optimizëm sepse besoj në fuqinë e unitetit dhe diversitetit. Besoj se diversiteti ynë kombëtar është një pasuri që na bën më të fortë dhe forcon të ardhmen tonë të përbashkët. Si një mjek që përballet çdo ditë me shqetësimet dhe sfidat e bashkëqytetarëve tanë dhe si anëtar krenar i një komuniteti pakicë, i njoh problemet e të gjitha grupeve tona kombëtare”, ka shkruar Dr.Shoipi.

Vizioni i tij për Kroacinë është që të gjithë qytetarët, pavarësisht nga kombësia apo prejardhja kulturore, të kenë mundësinë të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të të gjithë komunitetit.

“Si përfaqësuesi juaj parlamentar, vizioni i punës sonë do të synojë kryesisht promovimin e diversitetit kulturor, forcimin e arsimit dhe punësimit dhe sigurimin e aksesit në kujdesin shëndetësor për çdo qytetar. Ne do të insistojmë në promovimin e programeve që nxisin integrimin e komunitetit tonë nëpërmjet të kuptuarit dhe respektimit të kulturave, gjuhëve dhe zakoneve të ndryshme. Në të njëjtën kohë, detyra jonë do të jetë ruajtja e identitetit të komunitetit tonë duke mbështetur iniciativat arsimore, ngjarjet kulturore dhe institucionet që promovojnë trashëgiminë tonë. Ju ftoj të më jepni mbështetjen dhe besimin tuaj. Vetëm së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri drejtësie, optimizmi dhe solidariteti”, theksoi ai në letrën publike.

Dr.Shoip Shoipi është me prejardhje nga rrethina e Gostivarit, shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmën në Tetovë, studimet i kreu në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti i Mjeksisë, është specialist-urolog, subspecialist në onkologji urologjike, ku dhe ka doktoruar në shkencat biomedicinale. Ai me vite të tëra është një nga specialistët e dalluar në Klinikën Universitare Urologjike në Zagreb, ku me shumë dashamirësi dhe fisnikëri kryen misionin e tij të doktorit. (INA)

Show More

Related Articles

Back to top button