LajmeMaqedoni

MBI 150 MIJË TË PAPUNËSUAR NË RMV! | Sfidat e të rinjve pas diplomimit

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), gjatë vitit 2022 në Maqedoninë e Veriut kanë diplomuar gjithsej 7.483 studentë. Derisa numri i të diplomuarve nga viti në vit po vazhdon të rritet, të dhënat e Agjencisë së Punësimit në shkurt të këtij viti tregojnë se ka 153.891 qytetarë gjithsej të papunësuar. Sipas eksperteve, kjo situatë e krijuar duhet të alarmoj institucionet arsimore dhe si nevojë emergjente të paraqitet afrimi dhe rifreskimi i syllabusit me nevojat e tregut. Megjithatë edhe ky proces është i vështirë.

Ndërkohë, në vendin tonë përveç se të diplomuarit nuk punësohen ata vazhdojnë të migrojnë dhe të punojnë jashtë vendit. Për këtë e diplomuara Ermira Jashari si infermiere tha për gazetën Koha se dera e vetme e hapur ishte rruga drejtë mërgimit.

“Fatkeqësisht, të gjitha dyert atje i kisha të mbyllura, kështu që vendosa të largohem dhe të vendosem në një vend si Gjermania ku vlerësohet diploma më shumë se atje. Nuk e kam ndërmend të kthehem. Njerëzit që jetojnë atje janë vërtetë të pafat. Më vjen keq”, theksoi Jashari, infermiere tashmë katër vite në Gjermani.

Nga ana tjetër, njohësit thonë se të dhënat vijojnë si pasojë e politikbërjes jo të mirë, ku pasojat po i vuajnë të rinjtë. Ndërkohë, aktivisti Abedin Ismaili në një bisedë me gazetën Koha, parashikoi që në vendin nga i cili largohen të rinjtë kryesisht për shkaqe të papunësisë shndërrohet në vend që kërkon punëtorë të huaj.

“Hendeku i nevojës për punëtorë dhe punëkërkuesve në vendin tonë është shumë i thellë. Kjo situatë absurde të çon drejt asaj që lirshëm të konstatohet se shumë gjëra nuk funksionojnë si duhet në këtë vend. Sepse, është histori në vete që në vendin nga i cili largohen të rinjtë kryesisht për shkaqe të papunësisë shndërrohet në vend që kërkon punëtorë të huaj. Secili i ri fillon rrugëtimin profesional dhe i futet jetës studentore që në një të ardhme të afërt ta jetësojë atë profesion edhe në praktikë. Por, keqbërja politike shpesh herë e ndërpret këtë rrugëtim dhe shuan shumë ëndrra të të rinjve”, theksoi Ismaili.

Ai tha se një arsye tjetër e këtyre shifrave në vend është edhe mos hulumtimi i tregut, duke mos marr përgjegjësi asnjë institucion kompetentë.

“Problematikë tjetër shumë ndikuese shfaqet edhe mungesa e hulumtimit të tregut, kjo pastaj bie ndesh me nevojat që ka tregu dhe profilet që diplomojnë. E për këtë nuk brengoset askush, aq më pak ata që janë përgjegjës. Por, e mira në këtë fatkeqësi që po i ndodhë vendit tonë është që këta të ri e të reja punëtorë e të zellshëm që ikin nga ky vend po prosperojnë dhe punojnë drejt realizimit të objektivave të tyre, pa çka se janë larg vendit tyre”, tha Ismaili, duke shtuar se vendit do t’i mungojnë të rinj të shumtë, ndërkaq, shumë të rinjve suksesi nuk do tu mungojë asnjëherë.

Ndryshe, përkundër vendeve tjera që studimet jashtë vendit i bëjnë për të njohur një kulturë, gjuhë apo miq të ri, në vendin tonë të rinjtë po ikin për shkak të faktorit ekonomik, dhe vendin se ku ata do të vendosin të punojnë dhe ndërtimit të karrierës profesionale, e ky interesim po rritet çdo vit e më shumë. 

Show More

Related Articles

Back to top button