LajmeMaqedoni

17 parti dhe koalicione do të garojnë në zgjedhjet e 8 majit

Gjithsej 17 parti dhe koalicione kanë dorëzuar listat e kandidatëve në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 8 majit. 13 prej tyre do të kërkojnë votat në të gjashtë njësitë zgjedhore. Tashmë dihen numrat rendorë për shtatë vendet e para në fletëvotim, pasi ditë më parë Kuvendi në mënyrë të shpejtë i miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me të cilat partitë mund të mbajnë numrin me të cilin do të dalë në zgjedhje kandidati i tyre për president. Pra, i pari në listë do të jetë koalicioni i LSDM-së, i dyti i VMRO-DPMNE-së, i treti është koalicioni i GROM-it të Stevço Jakimovskit. Më pas vijon koalicioni i BDI-së, pastaj “E majta”, i gjashta do të jetë koalicioni opozitar “VLEN” dhe i shtati partia e Maksim Dimitrievskit. Në të gjashtë njësitë do të marrin pjesë Rodina, Partia e Punëtorëve, Maqedonia e Bashkuar, Epoka e Maqedonisë, Demokratët dhe E djathta, kryetar i së cilës ishte Lupço Palevski – Palço.

1. Koalicioni për të Ardhmen Evropiane – LSDM
2. Koalicioni “Maqedonia Jote” – VMRO-DPMNE
3. Koalicioni “Guximshëm për Maqedoninë” – GROM
4. Koalicioni “Fronti Evropian” – BDI
5. Partia politike “E majta”.
6. Koalicioni “VLEN”.
7. Lëvizja ZNAM – “Për Maqedoninë tonë”
8. Partia politike “Rodina”.
9. “Partia e Punëtorëve”
10. Partia politike “Maqedonia e Bashkuar”.
11. Partia politike “Epoka e Maqedonisë – Sovranistët e Tretë”
12. Partia politike “Demokratët”
13. Partia politike “E djathta”.

Në garë për deputetë do të hyjnë edhe katër lista partish dhe një grup zgjedhësish, por vetëm në një pjesë të zonave zgjedhore. Ndër to është edhe partia “Alternativa e Re” e Danella Arsovskës, e cila do të merr pjesë në njësinë e parë zgjedhore, të dytë, të tretë dhe të katërt zgjedhore.

14. Partia politike “Avaja” – Njësia e tretë, e katërt, e pestë dhe e gjashtë zgjedhore.
15. Partia politike “Tvoja” – zona e parë, e dytë, e tretë dhe e katërt
16. Partia politike “Alternativa e Re” – Njësia e parë, e dytë, e tretë dhe e katërt zgjedhore.
17. Lista nga Grupi i Zgjedhësve – Gjyla Çeliku – zona e gjashtë zgjedhore

Shumica e partive parlamentare tashmë kanë promovuar kandidatët e tyre, ndërsa sot BDI ka ndarë më shumë informacion për listat e saj. Të ashtuquajturat vendet fituese dominohen nga emrat e partnerëve të ri të koalicionit. Sipas Arbër Ademit, në BDI nuk ka pakënaqësi që vendet u janë dhënë partnerëve sepse kauza ka qenë më e rëndësishme se numri i deputetëve. Po ashtu, në listat e koalicionit të BDI-së pothuajse edhe nuk ka asnjë kandidat që është deputet në përbërjen aktuale parlamentare. Mungon edhe emri i Arbër Ademit.

“Nuk bëhet fjalë fare për pakënaqësi, është vendim i partisë, ne njëzëri i kemi marrë të gjitha vendimet në Kryesinë Qendrore. Unë nuk jam në lista, jam zëdhënës i shtabit qendror dhe koordinator i njësisë së dytë zgjedhore”, deklaroi Arbër Ademi – BDI.

Ndërkohë i mbetet Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve që të verifikojë listat dhe të kontrollojë nëse kandidatët i plotësojnë kushtet. Fushata për zgjedhjet parlamentare nis më 18 prill. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button