LajmeSport

Barcelona triumfon ndaj PSZH-së në Paris, Atletiko ndëshkoi gabimet e Dortmundit

Barcelona triumfoi 2-3 në Paris ndaj PSZH-së, në ndeshjen e parë të vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Të besuarit e Luis Enrikes zhvilluan një lojë mjaft të mirë në 45 minutat e para, por nuk u treguan të saktë para porte. Kilian Mbappe ishte një rrezik konstant për katalanasit, por këta të fundit ishin kujdesur në maksimum për të mos i lejuar hapësira yllit francez.

Një dalje e gabuar e portierit Xhixhi Donarumma i kushtoi shumë PSZH-së, me Rafinjën që nuk fali, duke zhbllokuar llogaritë në Paris. Kampionët e Francës përmbysën llogaritë ndaj Barcelonës me golat e Dembeles dhe Vitinjas në minutat e para të pjesës së dytë, ndërsa pak më pas, Rafinja vendosi ekuilibrat. Djemtë e Çavi Hernandezit “tundën rrjetën” në të 77-tën, me anë të danezit Kristensen.

Atletiko Madridi fitoi 2-1 ndaj Borusia Dortmundit në “Vanda Metropolitano”.  “Los Kolçoneros” treguan forcën që në pjesën e parë. De Poll ndëshkoi portierin Kobel në minutën e katërt, ndërsa Lino dyfishoi shifrat për vendasit nga Spanja.

Në fraksionin e dytë, ekipi i Terziçit shtoi presionin dhe u fut në lojë me golin e Halerit. Në minutat e fundit, mysafirët iu afruan shumë barazimit, por vetëm kaq, pasi Atletiko ia doli të mbrojë me fanatizëm rezultatin deri në fund.

Show More

Related Articles

Back to top button