LajmeMaqedoniRajon

Liria e medias, Maqedonia vendi më i mirë i rajonit, Shqipëria në vend të fundit

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj. Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

“Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.

Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.

Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.

Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.

Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Shqipëri, konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve pengojnë pavarësinë e medias

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke e renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian.

Në Indeksin që përfshin 180 vende, ajo radhitet në vendin e 99-të. Kosova radhitet e 75-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Ajo ka humbur tre vende krahasuar me një vit më parë, kur listohej e 96-ta.

“Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre”.

Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e të Ballkanit Perëndimor.

Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahasuar me standardet evropiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë. “Vitin e kaluar një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave ndaj godinës së televizionit ‘Top Channel’. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por dhe 4 treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie – mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor dhe treguesi i jetës shoqërore”, shprehet ai.

Sipas zotit Szalai gjatë vitit të kaluar problemet e vazhdueshme të Shqipërisë janë thelluar. “Problemi më i madh është konflikti i interesit dhe ndërhyrja e pronarëve të medias mbi pavarësinë editoriale. Një tjetër problem është niveli i ulët i zhvillimit të qëndrueshëm afat-gjatë të medias në Shqipëri, që ndërlikohet më tej nga censura në median online, në rrjetet sociale, diçka e zakonshme atje dhe nga sulmet verbale politike kundër gazetarëve, të cilat bëhen nga të dyja palët, qeveria dhe opozita”, shprehet ai.

Sa i përket sigurisë së gazetarëve ai vë në dukje “problemin e krimit të organizuar, si dhe të fushatave online në media të caktuara, me shumë urrejtje dhe shpifje kundër gazetarëve”.

Sipas tij,”kjo nuk është diçka e re, por problemet në Shqipëri janë akoma më të mëdha, ndaj ajo renditet e fundit në rajon”.

Kosovë, shtimi i tensioneve me Serbinë përkeqësoi sigurinë e gazetarëve

Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, thotë për Zërin e Amerikës”, thotë për Zërin e Amerikës Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”

Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit, që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

“Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli dhe propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre”, thuhet në raport.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen si vende ku gjendja e lirisë së shtypit është e “kënaqshme’. Maqedonia është përmirësuar me dy vende nga viti i kaluar, kur u rendit e 38-ta.
Mali i Zi radhitet në vend të 40, nga 39 që ishte vjet.
Bosnje Hercegovina listohet e 81-ta, 17 vende më poshtë se vitin e shkuar.

Gazetaria përballë dezinformimit

Organizata thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale për përhapjen e dezinformimit për qëllime politike është shqetësues, duke theksuar se lajmet e rreme po zënë një rol të rëndësishëm në ndikimin e procesit zgjedhor.

Sipas saj, grupet politike shpesh shërbejnë si kanale për përhapjen e dezinformimit apo edhe nxitjen e tij. Në 138 vende nga 180 që vlerësohen në Indeks, të anketuarit e pyetuar kanë pohuar se aktorët politikë shpesh përfshihen në përhapjen e propagandës ose fushatat e dezinformimit. Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, veçanërisht në Bjellorusi, Gjeorgji, Kirgistan dhe Azerbajxhan është forcuar ndjeshëm censura mbi median, duke imituar metodat shtypëse të Rusisë, thuhet në raport. “Ndikimi i Kremlinit ka arritur deri në Serbi, ku mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse dhe autoritetet kërcënojnë gazetarët rusë në mërgim”, thuhet në raport.

Show More

Related Articles

Back to top button