Mbi 300,000 palestinezë u larguan nga Rafahu gjatë fundjavës ndërkohë që forcat izraelite u futën në thellësi të qytetit, ku po strehohen 1.4 milionë palestinezë, shumica të zhvendosur nga luftimet shtatë muajshe në pjesët e tjera të Rripit të Gazës.
Bombardime u raportuan edhe gjatë natës në pjesën veriore të Gazës, një zonë të cilën ushtria izraelite e kishte bombarduar dhe izoluar në muajt e parë të luftës, por ku militantët e Hamasit janë rikthyer dhe gjatë ditëve të fundit kanë sulmuar forcat izraelite.
Izraeli thotë se Rafahu është bastioni i fundit i Hamasit dhe është zotuar të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë në këtë territor, por zyrtarët amerikanë po paralajmërojnë Izraelin kundër një veprimi të tillë, duke thënë se sulmi do të rrezikojë bisedimet për armëpushim dhe ndihmën ushtarake për Izraelin.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken kritikoi ashpër të dielën taktikat ushtarake të Izraelit në Gazë duke thënë se në disa raste ato nuk u përputhën me ligjin ndërkombëtar dhe shkaktuan vdekjen e civilëve të pafajshëm, pa arritur të eliminojnë Hamasin. Ai paralajmëroi Izraelin të mos ndërmarrë një sulm të zgjeruar në Rafah.
“Nuk kemi parë ndonjë plan se çfarë do të ndodhë pas luftës në Gazë. Bazuar në trajektoren e tanishme, edhe nëse Izraeli ndërmerr një sulm në shkallë të gjerë në Rafah, mijëra pjesëtarë të armatosur të Hamasit do të vazhdonin të vepronin. Kemi parë që Hamasi po kthehet në pjesët që Izraeli i ka pastruar në veri. Edhe nëse forcat izraelite futen në Rafah për t’u përballur me batalionet e mbetura të Hamasit, sidomos në mungesë të një plani për civilët, Izraeli rrezikon t’u shkaktojë dëm të madh civilëve dhe të mos e zgjidhë problemin që ata dhe ne duam ta zgjidhim, pra të sigurohemi që Hamasi të mos e qeverisë më Gazën. Tani për tani Izraeli ka gjasa të trashëgojë një kryengritje apo nëse tërhiqet një vakum të mbushur me kaos, anarki që sigurisht do të shfrytëzohet nga Hamasi. U kemi thënë se ekziston një mënyrë më e mirë për të siguruar një rezultat më të qëndrueshëm në Gazë dhe në rajon,” deklaroi Sekretari Blinken.
Deri më tani Kryeministri izraelit ka hedhur poshtë planet e propozuara nga zyrtarët amerikanë që Autoriteti Palestinez, që administron pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuara nga Izraeli, të qeverisë Gazën me mbështetjen e vendeve arabe dhe myslimane deri në krijimin e një shteti palestinez, të cilin qeveria e Izraelit e kundërshton.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua të dielën gjatë ceremonive për të shënuar Ditën e të Rënëve se do të vazhdojë operacionin në Gazë.
“Të gjithë ushtarët e lënduar që i vizitova në spital, edhe ata që i kishin humbur gjymtyrët, pa përjashtim, më thanë se kuraja e njerëzve i frymëzon. Më thanë vazhdoni deri në fitore dhe kështu do të bëjmë. Kuraja e njerëzve, krahas ndihmës së Zotit, do të vazhdojë të na frymëzojë përballë sfidave që kemi përpara dhe që i kemi patur në këto 76 vite pavarësie,” deklaroi ai.
Izraeli po përballet me një trysni të shtuar ndërkombëtare për të mos zgjeruar operacionet ushtarake në Rafah. Presidenti amerikan Joe Biden ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin armë Izraelit për përdorim në Rafah dhe Egjipti ka reaguar kundër planeve të Izraelit në këtë qytet në kufirin e tij me Gazën, duke njoftuar se do t’i bashkohet Afrikës së Jugut në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë në rastin që pretendon se Izraeli ka kryer gjenocid në Gazë, akuzë që Izraeli e mohon. /VOA