BotaLajme

Një tornado e fuqishme shkakton shumë viktima dhe dëme në Ajova

Një tornado e fuqishme e ka shkatërruar një qytezë të vogël në Ajova të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të martën, duke vrarë shumë njerëz dhe duke lënduar dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet të martën.

Pamjet nga qyteza Greenfield shfaqin rrënimin e madh që ka shkaktuar tornadoja; shtëpi të bëra rrafsh me tokën dhe rrënoja gjithandej.

Disa turbina të mëdha të erës u rrëzuan gjithashtu.

“Kjo tornado e ka shkatërruar një pjesë të madhe të kësaj qyteze”, tha Alex Dinkla, zëdhënës i policisë në Ajova.

“Mund të konfirmojmë se ka shumë viktima nga kjo tornado”, shtoi ai.

Dinkla nuk tregoi numrin e saktë të viktimave, dhe tha se numri nuk mund të dihet para të mërkurës.

Së paku dhjetëra njerëz në Greenfield, një qytezë me rreth 2.000 banorë, u lënduan nga stuhia, tha Dinkla.

Për shkak se spitali i qytezës kishte pësuar dëme nga stuhia, të lënduarit u dërguan në spitalet e qytezave në afërsi për shërim.

Guvernatorja e Ajovës, Kim Reynolds, tha se do ta vizitojë Greenfieldin të mërkurën.

“Derisa është shumë herët të dihet ndikimi i stuhisë, përgjigjet do të vijnë orët dhe në ditët në vijim”, tha ajo.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së kishte bërë disa paralajmërime për tornado për shumicën e Ajovës dhe për disa shtete në afërsi të martën.

Show More

Related Articles

Back to top button