LajmeSport

Finalja e Ligës së Konferencës, Fiorentina sfidon Olimpiakosin në Athinë

Në “Agia Sophia” të  Athinës, “Violët” e Fiorentina do të luajnë finalen e dytë radhazi të Ligës së Konferencës, me italianët që sezonin e kaluar u mposhtën në aktin final nga anglezët e Uest Hemit, teksa për ekipin nga Firence kjo do të jetë finalja e gjashtë europiane në histori, ku përballë do të kenë “gjigantët” grek të Olmpiakosit.

Skuadra e drejtuar nga Vinçenzo Italiano ka fituar eksperiencë në Ligën e Konferencës dhe do të kërkojë ta shfrytëzojë në maksimum, pasi të gjithë janë në pritje të suksesit, me italianët që kërkojnë të rikthejnë në Toskanë një trofe europian pas 63 vitesh dhe jo vetëm, por edhe për të rikthyer te suksesi këtë klub që nuk fiton prej më shumë se dy dekadash, nga triumfi i fundit në Kupën e Italisë në sezonin 2000-2001.

Finalja është me rëndësi edhe për teknikun Vincenzo Italiano kërkon lavdinë, pasi në të kaluarën nuk ka fituar asnjë trofe dhe për më tepër me skuadrën e tij ka humbur dy finale deri më tani dhe mbrëmjen e kësaj të mërkure do të zbresë në Athinë me një rekord të vendosur gjatë këtij sezoni, me 13 ndeshje europiane pa humbje, 7 fitore dhe 6 barazime, ecuria më e gjatë në historinë e klubit.

Në krahun tjetër, vetëm afro 10 km larg Pireut, rekordmenët e futbollit grek, Olimpiakos do të zbresin në finalen e parë europiane në histori, teksa janë bërë ekipi i dytë nga Greqia që do të luajë në një finale europiane, pas Panathianaikos në sezonin 1970-1971.

Skuadra nga Pireu nuk ka aspak kujtime të bukura nga Italia, pasi ka humbur gjashtë nga shtatë ndeshjet e fundit kundër ekipeve italiane, megjithatë do të kërkojë të kapet fortë pas trajnerit Jose Luis Mendilibar, fituesi i UEFA Europa League edicionin e kaluar me “Andalizuanët” e Sevilla, me trajnerin spanjoll që fitoi pikërisht kundër një ekipi italian si Roma.

Mendilibar është kthyer në një “hero”, pasi e mori drejtimin e skuadrës më 22 shkurt dhe në takimet e fundit me të në krye, Olympiacos ka humbur vetëm dy herë nga 12 përballje, duke fituar tetë dhe ka barazuar dy, megjithatë  jo vetëm trajneri 63-vjeçar është një pikë e fortë e grekëve.

Sa i përket historisë, kjo është përballja e parë midis të dyja skuadrave. Për “Violët” e Fiorentina, Olympiakosi do të jetë kundërshtari i katërt nga Greqia, teksa më parë ka luajtur ndaj PAOK, AEK dhe OFI, ku ka zhvilluar në total 6 ndeshje, duke regjistruar 1 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje.

Ndërkaq, në krahun tjetër për Olimpiakosin, skuadra nga Firenca do të jetë kundërshtari i nëntë italian pas, Milanit, Roma-s, Atalanta-s, Kaliarit, Juventusit, Napolit dhe Lacio-s, ku në total ka zhvilluar plot 24 përballje ku ka fituar 6 sfida, ka barazuar 5 të tilla dhe ka humbur në 13 raste.

Show More

Related Articles

Back to top button