LajmeRajon

Kroacia mund ta marrë përsipër ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë?

Rezoluta e cila u bashkësponsorizua nga Gjermania dhe Ruanda për gjenocidin në Serbrenicë, u miratua me 84 vota për, 19 kundër dhe 68 abstenime.

Kështu Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën, sipas së cilës 11 Korriku shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, ku forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë në korrik të vitit 1995.

Lidhur më këtë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se miratimi i kësaj rezolute, padyshim përbën një akt të rëndësishëm.

“Rezoluta e Srebrenicës është një akt i rëndësishëm simbolik , ku në prill 1992, kur filloi lufta në ish-republikën jugosllave të Bosnjë-Hercegovinës, në qytetin e Srebrenicës në lindje të vendit, jo shumë larg kufirit me Serbinë, jetonin kryesisht myslimanë nga Bosnja – boshnjakë. Në këtë zonë kishte edhe fshatra të banuara kryesisht me serbë. Në Republikën Srpska dhe Serbi mohohet se krimet në Srebrenicë përbënin gjenocid. Parlamenti i Serbisë e dënoi masakrën e Srebrenicës në vitin 2010 pa përdorur termin gjenocid. Rezoluta aktuale e OKB-së interpretohet si sulm ndaj Serbisë dhe serbëve si komb, edhe pse ata nuk përmenden fare në tekstin e rezolutës”, shprehet Shala.

Edhe para votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Aleksandar Vulin, ish-shefi i inteligjencës dhe tani zëvendëskryeministër i Serbisë, tha në një intervistë për mediat serbe: “Ajo që do të ndodhë është përfundimi i komplotit kundër Republika Srpska dhe Republikës të Serbisë”. Gjermania dhe Ruanda, të cilët iniciuan rezolutën, donin t`i “shpallnin serbët një komb gjenocidal””, shton Shala.

Por a mundet që në ardhmen të miratohet një rezolutë edhe për gjenocidin serb në Kosovë?

“Ndërsa Kosova e ka të vështirë të realizojë një rezolutë të tillë marrë parasysh që ka një hendek në subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe një kërkesë e tillë nuk mund të realizohet edhe së paku për një periudhë të gjatë”, përfundon Shala.

Të njihet edhe gjenocidi serb në Kosovë

Kurse, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi deklaron se duhet këmbëngulur që të njihet edhe gjenocidi serb në Kosovë.

“Në radhë të parë e fillimisht nga Shqipëria. Por në Shqipëri mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama e kanë bllokuar projekt-rezolutën e opozitës demokrate për dënimin e këtij gjenocidi. Më shumë vlen prestigji i Serbisë dhe i Aleksandër Vuçiq, sesa dënimi dhe ndëshkimi i krimeve serbe kundër shqiptarëve. Ky është koncepti i Tiranës zyrtare rreth asaj që ka ndodhur në Kosovë në vitet 1989-1999. Shqipëria merr në mbrojtje Serbinë kundër Kosovës. Kësisoj nuk merr në mbrojtje vetëm ministrin e propagandës së Milosheviçit, pra këtë Aleksandër Vuçiqin e sotëm, por edhe vetë krye-kasapin e Ballkanit, Sllobodan Milosheviç”.

“Unë besoj se Kosova do ta bëjë në kohën e përshtatshme kërkesën e saj dhe do të merret me gjenocidin serb kundër shqiptarëve. E rëndësishme është që të grumbullohen faktet, provat, dhe e vërteta të shpaloset në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Një vendim i kësaj gjykate për këtë qëllim është hapi i parë dhe kryesor. Sot Kosova nuk mund të bëjë një padi për gjenocid kundër Serbisë, sepse nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Shqipëria nuk e merr përsipër ta bëjë një gjë të tillë për shkak të bashkëpunimit të qeverisë së saj me ushtruesin e akteve gjenocidiale, Serbinë e Aleksandër Vuçiq. Atëherë është e udhës që të gjendet një rrugë tjetër e paraqitjes së akt-padisë në GJNP”, shpjegon Bytyçi.

Por cili shtet mund ta marrë hapin që ta bëjë padinë për gjenocidin serb në Kosovë?

“Besoj se Kroacia mund ta bëjë këtë hap e ta marrë përsipër ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë. Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës mund ta marrin në konsideratë këtë mundësi. E di se do të ketë kosto. Sepse Kroacia mund të kërkojë koncensione në Kosovë. Por së paku me Kroacinë nuk ka e nuk do të ketë asnjë problem rreziku politik dhe sa i përket integritetit territorial. Nëse kërkohen koncensione ekonomike, unë besoj se ia vlen kjo, në këmbim të një padie që Kroacia mund ta paraqesë në emër të Kosovës për gjenocidin serb kundër shqiptarëve”, shprehet Bytyçi.

“Por duke u kthyer te rëndësia e rezolutës së OKB-së për ta rikujtuar gjenocidin e Srebrenicës. Kjo rezolutë e lehtëson edhe dialogun Kosovë-Serbi. Nuk do të munden as Fuqitë Perëndimore të bëjnë më kaq shumë presion ndaj Kosovës. Ato do të detyrohen të pranojnë argumentet e Kosovës përballë spekulimeve serbe. Ndërkohë rritet siguria për Kosovën. As që bëhet fjalë që pas ditës së sotme Serbia të sulmojë Kosovën. Por Banjskën mund ta përsërisë Aleksandër Vuçiq”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Show More

Related Articles

Back to top button