LajmeRajon

Të dielën mbahen zgjedhjet lokale në Serbi, shqiptarët e Luginës garojnë me 10 lista

Të dielën në Serbi mbahen zgjedhjet lokale. Shqiptarët e Luginës së Preshevës në këto zgjedhje garojnë me gjashtë lista vetëm në Preshevë dhe katër në Bujanoc. Në tubimin e mbajtur mbrëmë në Prishtinë nga dy kandidatët e PVD-së Ardita Sinani për Preshevën dhe Ragmi Mustafa për Bujanocin, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u theksua nevoja për të mbështetur Luginën për t’i tejkaluar pabarazitë që po u bëhen nga shteti serb. Kurti tha se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm.

“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, ajo mbart një trashëgimi të pasur historike e kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor për qytetarët e saj. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të rëndësishme e më të ndjeshme. Në këto vite kemi parë dhe përjetuar shumë sfida nëpër të cilat ka kaluar Lugina. Diskriminimi i vazhdueshëm, mundësi të pabarabarta, mungesa e qasjes në shërbime publike, zhvillimi i dobët, janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët në Luginë përditë. Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

“Synimi jonë si subjekt politik që nga themelimi, ishte ngritja e zërit për të drejtat e shqiptarëve duke u mbështetur gjithmonë dhe duke tentuar të ndërtojmë një bashkëpunim institucional me Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe me ndihmën dhe angazhimin e kryeministrit Albin Kurti ia kemi arritur kësaj. Është fakt dhe e qartë se në Serbi kjo punë po i pengon dikujt, por nuk është problem i joni, por i tyre, sepse insistimi jonë do të jetë që niveli jonë i bashkëpunimit me Qeverinë në Prishtinë dhe Tiranë të jetë gjithnjë më i madh, sepse Lugina e Preshevës nuk ka jetë pa mbështetje me Prishtinën. Do të vazhdojmë të insistojmë që ndërtimi i raporteve më të afërta me Kosovën, të jetë gjithnjë e më i shpeshtë, që Republika e Kosovës të jetë sa më prezentë në Luginë të Preshevës, sepse, me Serbinë autokratë të Aleksandar Vuçiqit e kemi vështirë të përballemi vet, prandaj e kërkojmë ndihmën e juaj këtu”, u shpreh Shaip Kamberi, Deputet në Parlamentin e Serbisë. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button